KryesoreLajme

FSK përforcon lidhjet me Gardën Kombëtare të Ajovës për avancimin e kapaciteteve profesionale

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në një takim zyrtar Drejtorin e Ushtrisë së Gardave Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjenerallejtënant Jonathan M. Stubbs, i shoqëruar nga gjeneral major Levon E. Cumpton dhe delegacioni i tij.

Gjatë takimit, palët diskutuan për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së, me theks të veçantë në partneritetin me Gardën Kombëtare të Ajovës. U vlerësua lart mbështetja amerikane në ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së, zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta si dhe avancimin e ndërveprueshmërisë me partnerët ndërkombëtarë.

Lexo më shumë  Qeveria ndan 3 milionë euro për mbulimin e Kartonit të Gjelbër për mërgatën gjatë verës

Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë partneritet si thelbësor për zhvillimin, modernizimin dhe profesionalizimin e FSK-së.

Në takim u theksua gjithashtu se Programi i Partneritetit të Përbashkët (State Partnership Program – SPP) ndërmjet Gardës Kombëtare të Ajovës dhe FSK-së përfaqëson një shembull suksesi, me rezultate konkrete dhe aktivitete të përbashkëta në fusha të ndryshme.

Lexo më shumë  2025, një në pesë të punësuar në Shqipëri punoi pa pagesë

Në përmbyllje, të dy gjeneralët u pajtuan se thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit është thelbësor për avancimin e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave, duke theksuar njëherësh rëndësinë e mbështetjes së SHBA-së në përmbushjen e synimeve strategjike të Kosovës drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare të sigurisë, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

YouTube player