Sallahu pavarësisht shfuqizimit: Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme nis sivjet
Ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme, duke thënë se ka shkelur afatet ligjore për vendimmarrje.
“Pas 1 viti e 28 ditësh pranuam aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Gjykata pas shkeljes së afateve ligjore, konstatoi se ka shkelje procedurale të miratimit të projektligjit përkatës në Kuvend, andaj serish duhet t’i kthehet Kuvendit për miratim. Është joligjore, joprofesionale dhe joetike, që një ligj kaq me rëndësi për luftimin e krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve publik të mbahet në sirtarët e Gjykatës me shumë se një vit vetëm për çështje procedurale! Vonesa të tilla, cenojnë kompetencat ekskluzive kushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit në miratimin e ligjeve”, ka shkruar Sallahu në Facebook.
Megjithatë, ai ka thënë se konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshëm do të nisë sivjet.
“Përfundimisht mund të themi se pavarësisht pengesave nga akterë me qëllime të caktuara, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të fillojë këtë vit!” ka shtuar Sallahu.
Kushtetuesja të premten njoftoi ndaras për shfuqizimin e 12 ligjeve dhe më pas edhe të Byrosë. Sipas vendimit, arsye janë shkeljet e Rregullores. Rregullorja përcakton se shqyrtimi i dytë i një projektligji nuk mund të bëhet më herët se 72 orë nga dita e miratimit të tij në parim. Kjo përjashtohet vetëm në rast të gjendjes së jashtëzakonshme. Por, pa ndonjë gjendje të tillë emergjente, deputetët e pushtetit miratuan 13 ligje në të dy leximet. 7 të tjerat u miratuan në lexim të dytë, prej tyre 4 u futën në rend dite me mocion. Këto i ka dhënë si arsyetime Kushtetuesja.
Rruga Press

