KryesoreLajme

Diskursi fyes ndaj mërgimtarëve është jo vetëm i padrejtë, por edhe i rrezikshëm

Shkruan: Saranda Teresa Bruno

Të quash diasporën “barrë” apo “gërrnaça” është mohim i realitetit historik, social dhe politik të Kosovës.

Mos na fyeni mërgimtarët , sepse disa e shitën atdheun, jo ne.

Për ata që sot sulmojnë mërgimtarët, që na quajnë “gërrnaça” dhe na tregojnë me gisht sikur të ishim barrë për Kosovën, ka ardhur koha të thuhet e vërteta , pa zbukurime dhe pa frikë.

Unë u largova nga Kosova pesë vite pas përfundimit të luftës. Jo sepse nuk e desha atdheun, por sepse atdheu nuk më mbrojti. Në atë kohë nuk qeveriste Albin Kurti, por një klasë njerëzish që u “doktoruan” pa ditur as sa shkronja i ka alfabeti ynë, pa dije dhe pa moral, duke e kapur shtetin për interesa personale. Në atë sistem u rrita, u formova dhe u thyeva.

Rinia ime rrezikohej çdo ditë. Nuk kishte perspektivë, nuk kishte drejtësi, nuk kishte siguri. Institucionet ishin të kalbura nga korrupsioni dhe heshtja kriminale. Në shkolla dhe institucione, aty ku duhej të kishte dije dhe mbrojtje, kishte frikë dhe abuzim. Disa nga ata që mbanin tituj profesorësh, disa njerëz të shtetit, e shiheshin një vajzë 15-vjeçare si objekt seksual, e jo si fëmijë që duhej mbrojtur.

Lexo më shumë  Kurti qytetarëve: U jemi mirënjohës përjetë

Ky është krim.

Dhe ky krim na dëboi nga vendi ynë.

Por kjo nuk ishte e vetmja tradhti.

Tradhtia më e madhe ishte se disa keqpërdorën emblemën e UÇK-së, u mbështollën me sakrificën e luftës dhe e përdorën gjakun e dëshmorëve për interesa personale për pushtet, pasuri dhe imunitet. Ata e dredhuan idealin e luftës, e deformuan qëllimin e shenjtë për liri dhe e shndërruan atë në monedhë politike.

Kjo është plagë e hapur për Kosovën.

Dëshmorët nuk ranë që sot fëmijët të ikin nga vendi i tyre.

Nuk ranë që vajzat të mos ndihen të sigurta në shkollë.

Nuk ranë që mërgimtarët të fyhen nga ata që e përdhosën luftën.

Prandaj mos e fajësoni mërgatën pse e do atdheun e saj. Mos e fajësoni mërgatën pse e mban Kosovën gjallë me remitenca, me zë, me mall dhe me sakrificë. Ne nuk ikëm nga Kosova ne ikëm nga padrejtësia, nga korrupsioni dhe nga tradhtia e atyre që u fshehën pas flamurit për të mbushur xhepat e tyre.

Mos e sulmoni këtë pjesë të Kosovës që jeton jashtë, që ëndërron kthimin dhe që shpesh vdes në mërgim me emrin e Kosovës në buzë. Mërgimtari nuk është armik i Kosovës , armik është ai që e shiti Kosovën nga brenda.

Lexo më shumë  Vjedhjet tronditëse te AKSHI, Xhaferri: Rama luftë drejtësisë, mbron të akuzuarit, sepse po i afrohet hetimi

Edhe unë dua të kthehem një ditë. Por dua të kthehem në një Kosovë të drejtë: ku vajzat e mia vlerësohen, mbrohen dhe ndihen të sigurta; ku emri i UÇK-së nderohet me drejtësi, jo me korrupsion; ku gjaku i dëshmorëve respektohet, jo keqpërdoret.

Dashuria për atdheun nuk matet me vendbanim, por me ndershmëri, drejtësi dhe guxim për ta thënë të vërtetën.

Dhe ju që sulmoni diasporën, ju rikujtoj: votat tona nuk kanë shkuar vetëm për Vetëvendosjen, por për të gjitha partitë. Prandaj tregoni pjekuri politike. Hapuni për bashkëpunim për të mirën e Kosovës. Mos u sillni si ato vjehrra shpirtkëqija që, nga inati ndaj nuses, thonë: “le të vdesë djali”.

Sepse kur ju duhej zëri i mërgatës si në manifestimet masive para Hagës diaspora ishte e mirë, e bashkuar dhe e dobishme. Sot, kur kërkojmë respekt dhe bashkëpunim, papritur bëhemi “barrë”.

Kjo hipokrizi duhet të marrë fund.

Sepse duke e dëmtuar diasporën, po e dëmtoni vetë Kosovën.

Urime Kosovë.

Urime ty, shpresë e ndryshimit.

Le të jetë kjo hera e fundit që atdheu i dëbon fëmijët e vet

Locarno 29/12/2025

Rruga Press

YouTube player