Fitorja e Albinit fitore e ndërgjegjes politike që hap një horizont të ri për Kosovën dhe shqiptarët
Shkruan Bashkim Rodoni
Kur fitorja na lejon të pyesim, ka fitore që të çlirojnë nga frika dhe ka fitore që të çlirojnë nga heshtja. Kjo që sapo është arritur i përket së dytës.
Unë nuk jetoj dhe nuk votoj në Kosovë. Teknikisht, qeveria që del nga kjo fitore nuk është qeveria ime, dhe Albin Kurti nuk është kryeministri im. Jeta ime është në Tiranë, por ka përkatësi që nuk maten me vendbanim dhe as me fletëvotim, por me ndërgjegje politike dhe kujtesë kolektive.
Kjo pozitë – as brenda, as jashtë – nuk e zbeh intensitetin e kësaj fitoreje për mua. Përkundrazi, unë e përjetoj peshën dhe rëndësinë e saj me të njëjtin intensitet si ata që jetojnë atje çdo ditë, edhe kur fitojnë, edhe kur humbin, sepse kjo fitore nuk është thjesht institucionale; ajo është historike në kuptimin e rrugës që hap, jo vetëm për Kosovën, por për një horizont politik më të gjerë shqiptar.
Në filozofi, shoqëritë nuk piqen kur gjejnë përgjigje të shpejta, por kur krijojnë hapësirë për pyetje të vështira. Sokrati nuk e sfidoi Athinën sepse e urrente, por sepse besonte se ajo kishte arritur një pikë ku duhej të ndalej e të mendonte. Pyetjet e tij ishin të rrezikshme jo për demokracinë, por për vetëkënaqësinë.
Kjo fitore krijon për herë të parë një gjendje të ngjashme: një shtet që nuk është më në mbijetesë të përhershme, por në një fazë ku mund të pyesë veten pa u rrëzuar. Ky është luks politik dhe përgjegjësi njëkohësisht.
Kjo përgjegjësi nuk lind nga teori, por nga përvoja konkrete në terren. Në vitet që kam qenë i angazhuar në fushata në Kosovë, kjo çarje është ndjerë qartë edhe në krahasim me zgjedhjet e fundit lokale (ku diferenca është pothuajse gjys për gjys): në zgjedhje kombëtare votohet dinjiteti, në zgjedhje lokale negociohet mbijetesa. Jo nga hipokrizia e qytetarëve, por nga realitete lokale që i detyrojnë njerëzit të zgjasin kompromisin social për të ruajtur një ekuilibër minimal.
Këtu filozofia nuk vjen si luks intelektual, por si pasqyrë. Aristoteli e shihte polis-in si bashkësi morale, jo thjesht si aparat administrativ. Kur kjo bashkësi ndahet në dy regjistra – një kombëtar ideal dhe një lokal pragmatik – ajo prodhon lodhje qytetare, jo liri.
Kjo fitore hap për herë të parë mundësinë reale për ta trajtuar këtë çarje jo si fat të pashmangshëm, por si problem politik që duhet adresuar “krejt dhe drejt”.
Në një shtet të pasigurt, pyetjet e mëdha duken kërcënim. Në një shtet që ka fituar besim, ato bëhen mjet orientimi.
Prandaj sot mund të pyesim, pa frikë dhe pa cinizëm:
A është drejtësia vetëm një sistem që funksionon në qendër, apo një përvojë që duhet ndjerë edhe në lagje, në komunë, në marrëdhëniet më të vogla?
A duhet shteti t’i mbrojë qytetarët vetëm nga padrejtësia, apo edhe nga nevoja për kompromis moral për të jetuar normalisht?
Kur lokalja bie ndesh me kombëtaren, a duhet të fitojë qetësia afatshkurtër apo dinjiteti afatgjatë?
Unë nuk jam qytetar i Republikës së Kosovës në kuptimin juridik, por jam pjesë e këtij procesi në kuptimin politik dhe pikërisht nga kjo distancë e përfshirë mund të thuhet qartë: një qeveri e dobët kërkon qetësi; një qeveri e fortë mund të përballojë trazimin e domosdoshëm.
“Të mos lëshosh pe!” sot nuk do të thotë të qeverisësh me ngurtësi, por të mos e relativizosh premtimin që u bë në ditë të vështira.
Dinjiteti nuk duhet të jetë privilegj i qendrës dhe kompromis i periferisë. Ai duhet të jetë përvojë e përbashkët, nga qyteti në qytet. Vetëm atëherë kombëtarja dhe lokalja pushojnë së qeni dy botë të ndara.
Ndoshta shenja më e qartë e kësaj fitoreje nuk është përqindja e votës, por fakti që sot mund t’i bëjmë këto pyetje pa u ndjerë armiq të shtetit. Përkundrazi, duke i bërë, tregojmë se besojmë se shteti është mjaftueshëm i fortë për t’i përballuar.
Për mua, kjo fitore ka peshë jo sepse është “e tyre”, por sepse është e një historie politike shqiptare dhe nëse kjo histori arrin të prodhojë një shtet shqiptar që përballon pyetjet e parakohshme me dinjitet dhe empati politike, atëherë ajo nuk i shërben vetëm Kosovës por gjithë asaj hapësire shqiptare që ende kërkon ta jetojë dinjitetin pa kushte.
Çfarë fati! ![]()
Rruga Press

