KryesoreLajme

Berisha uron Kurtin për fitore, thotë se zgjedhjet në Kosovë shembull i demokracisë dhe frymëzim për Shqipërinë

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka vlerësuar Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025 në Kosovë, duke i cilësuar ato si një sukses të rëndësishëm demokratik dhe një shembull frymëzues për Shqipërinë.

Në një reagim publik, Berisha theksoi se procesi zgjedhor në Kosovë, përfshirë fushatën, administrimin e votës, procedurat e votimit dhe garën e lirë politike, dëshmoi funksionimin e një demokracie në zhvillim dhe respektimin e vullnetit qytetar.

Lexo më shumë  Kurti për ditën e 1 Majit: Kjo qeveri ka qenë në anën e punëtorëve jo vetëm me fjalë, por me ligje të miratuara, buxhet të zbatuar dhe vendime konkrete

Ai përgëzoi qytetarët e Kosovës, institucionet shtetërore dhe organet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, si dhe subjektet politike për pjesëmarrjen dhe qasjen e tyre gjatë procesit zgjedhor, duke vlerësuar respektimin e rezultatit përfundimtar.

Berisha po ashtu uroi kryeministrin Albin Kurti për fitoren në zgjedhje, duke e cilësuar rezultatin si shprehje të qartë të vullnetit të sovranit. Ai përmendi edhe partitë e tjera politike, duke i përgëzuar për, siç u shpreh, qëndrimet dinjitoze gjatë fushatës dhe pranimin e verdiktit të qytetarëve.

Lexo më shumë  Ja alternativat kundrejt Albin Kurtit: Njëri kryetar formal me qera, njëri kryetar pa përkrahje, njëra ''kush më bën presidente'', tjetri milioner pa punuar

Në përmbyllje të reagimit të tij, kreu i PD-së e cilësoi Kosovën si krenari të shqiptarëve dhe theksoi se zgjedhjet e 28 dhjetorit përfaqësojnë një arritje të rëndësishme për konsolidimin e rendit demokratik në vend.

YouTube player