Vjedhjet tronditëse te AKSHI, Xhaferri: Rama luftë drejtësisë, mbron të akuzuarit, sepse po i afrohet hetimi
Një hetim i thelluar i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) mbi aktivitetin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka zbuluar një skemë të dyshuar korrupsioni, manipulimi tenderash dhe lidhje të rrezikshme me krimin e organizuar e deri në nivelet më të larta politike. Si rezultat i këtij hetimi, SPAK ka lëshuar urdhër-arreste për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe dy biznesmenët Ergyis Agasi e Ermal Beqiri, të akuzuar për vepra të rënda penale.
Në qendër të dosjes hetimore qëndron dyshimi se Karçanaj, në bashkëpunim me Agasin dhe Beqirin, ka manipuluar procedura tenderuese me vlerë dhjetëra miliona euro. Por ajo që e bën këtë çështje edhe më të rëndë është përfshirja politike. Sipas burimeve nga hetimi, vetë Mirlinda Karçanaj ka pranuar para prokurorëve se biznesmeni Ermal Beqiri, tashmë i shpallur në kërkim, është përdorur nga kryeministri Edi Rama në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, me qëllim sigurimin e mbështetjes së emigrantëve shqiptarë në Greqi për Partinë Socialiste.
Provat e mbledhura nga SPAK përfshijnë materiale kompromentuese, mes të cilave edhe përgjime audio të realizuara fshehurazi në zyrën e biznesmenit Ergyis Agasi. Në këto biseda, të regjistruara në gusht të vitit 2023, diskutohen jo vetëm aferat korruptive, por edhe veprimtari të tjera të paligjshme. Alarmante janë referencat e bëra për trafik të lëndëve narkotike, detaj i cili ka shtuar ndjeshëm dyshimet e hetuesve për shtrirjen e aktivitetit kriminal të personave të përfshirë.
Akuzat zyrtare të ngritura nga SPAK përfshijnë “grup të strukturuar kriminal”, “shkelje të barazisë në tendera” dhe “heqje të paligjshme të lirisë”. Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për drejtoreshën Mirlinda Karçanaj, ndërsa për biznesmenët Ergyis Agasi dhe Ermal Beqiri është vendosur masa “arrest me burg”.
Skandali ka shkaktuar reagime të forta edhe në arenën politike. Deputeti i Partisë Demokratike, Besar Xhaferri i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv duke komentuar ngjarjen ai akuzoi kryeministrin Rama për “koherencë të re”, duke e mbrojtur rrethin e tij të ngushtë tani që hetimet po i afrohen Kryeministrisë. Në bisedë me moderatorin Flavio Qarri, Xhaferri vlerësoi se, “ndryshe nga deklaratat e mëparshme për luftë ndaj korrupsionit, kryeministri tani po vendos barriera ndaj drejtësisë për të mbrojtur zyrtarët e tij”. Xhaferri pretendoi se paratë e përfituara nga tenderat abuzivë kanë shkuar për të financuar fushatat elektorale, por edhe aktivitete të rënda si narkotrafiku.
Flavio Qarri: Rikthehemi në studio, miq të dashur, edhe pas përpjekjes së dëshpëruar të ditës së djeshme të kryeministrit për ta marrë në mbrojtje Mirlinda Karçanin. Sidoqoftë do të mbetemi sot edhe tek tema tjetër e rëndësishme pavarësisht faktit se askush në gjithë këto skandale nuk është pushuar nga puna, as edhe një i vetëm për be. Besar Xhaferrin kam në studio, deputetin e Partisë Demokratike. Tani, ta fillojmë pak politikisht, më pas në detajet e dosjes. Zoti Xhaferri, a mund t’ia quajmë koherencë Ramës këtë që s’i pushon nga puna këta, s’i shkarkon, asgjë, i mban aty edhe pse janë burgjeve?
Besart Xhaferri: Jo është koherencë e Ramës së ri. Ok. Se Rama i vjetër, pra, të ndahet në dy epoka. Pra, epoka e parë ishte që ishte një dashnor i drejtësisë, garant i drejtësisë, ekzekutues i drejtësisë. Por besoj se tani publiku e kupton që e kishte të gjithën një lojë sepse ishin persona që ai donte t’i lëshonte. Ndërkohë tani që i kanë ardhur si në paradhomën e Kryeministrisë, po ashtu dhe në paradhomën e shtëpisë, tani normalisht po vë barriera, po vë kufinjtë dhe këta njerëz do i mbajë dhe do i shpalli luftë hapur drejtësisë, pra. Sepse rrezikohet vetë karrikja e Edi Ramës.
Flavio Qarri: Po e rrezikon drejtësia?
Besart Xhaferri: Shiko, po po i rrezikojnë zullumet e Edi Ramës. Drejtësia më në fund, nëse do të bëjë diçka, do të bëjë detyrën. Por patjetër që janë zullumet 12-13 vjeçare, vjedhjet gati jo gati, në miliarda euro, sepse ne vetëm majën e ajsbergut po… Dhe e kemi kaluar miliardëshin. Edhe e kemi kaluar miliardëshin, por patjetër ne e dimë që në këto 12-13 vite Edi Rama ka menaxhuar gati 100 miliardë euro buxhet. Po. Duke marrë një mesatare të buxhetit rreth 7-8 miliardë euro, aq shkon, afër 100 miliardë euro që ka menaxhuar. Dhe patjetër dhe nga vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga raportet e tyre, në shifra deri në 20-30% shkojnë të keqpërdorura. Tani ne e dimë se ku ka shkuar keqpërdorimi. Ka shkuar në xhepat e Partisë Socialiste, në fushatat zgjedhore, në farsat elektorale, në apartamentet qindra të Belinda Ballukut apo në mijërat e Edi Ramës, në offshore e të tjera e të tjera. Madje, madje, edhe vetë paratë e tenderave kanë shkuar edhe në narkotrafikimin e produkteve të drogës. Këtu kishin arritur deri te kriptot.
Rruga Press

