Lajme

Skandal: Spiropali i barazon shqiptarët në Maqedoninë e Veriut që janë mbi 30%, me pakicën maqedonase në Shqipëri

Ngas Dijana Toska

KËRKESË PËR SQARIM ZYRTAR NGA SHTETI SHQIPTAR
Deklarata e Ministres së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, mbi “reciprocitetin në trajtimin e minoriteteve”, ku shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përmenden në të njëjtën fjali me pakicën maqedonase në Shqipëri, kërkon sqarim të menjëhershëm dhe zyrtar nga institucionet e shtetit shqiptar.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë minoritet, por popull shtetformues, me mbi 30 përqind, faktor kushtetues, demografik dhe historik në këtë shtet. Çdo formulim që i relativizon apo i barazon me pakica kombëtare përbën devijim serioz nga e vërteta politike dhe historike.

Shqiptarët jashtë kufijve administrativë të Republikës së Shqipërisë nuk janë lodra në duart e shtetit amë, por trung kombëtar që duhet përkrahur dhe mbrojtur. Kjo nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues dhe moral i Shqipërisë.

Lexo më shumë  Tensionohet situata në Baks-Rrjoll të Velipojës, banorët përplasen me policinë

Republika e Shqipërisë, sipas frymës së Kushtetutës së saj dhe praktikës së deritanishme shtetërore, ka përgjegjësi të qartë për: mbrojtjen e interesave kombëtare të shqiptarëve jashtë kufijve, ruajtjen e statusit të tyre politik dhe moslejimin e asnjë narrative që i zhbën ata nga subjekt në objekt diplomatik.

Prandaj, kërkohet të sqarohet publikisht:
1. A ishte kjo deklaratë lapsus individual, apo mosdije!?
2. Apo përfaqëson një ndryshim zyrtar të politikës së jashtme të Shqipërisë ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut?

Heshtja në këtë rast do të nënkuptonte pranim të relativizimit të statusit shtetformues të shqiptarëve, gjë që është e papranueshme dhe e dëmshme për interesin kombëtar.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk kërkojnë favore, por respektim të statusit të tyre real politik dhe përkrahje të qartë nga shteti amë.

Lexo më shumë  Ragmi Mustafi vazhdon detyrën si këshilltar politik i Kurtit për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc

Kjo deklaratë nuk është lapsus i pafajshëm diplomatic është gabim i rëndë politik dhe historik.Është legjitimim i narrativave unitariste që i kanë diskriminuar për dekada shqiptarët e Maqedonisë..
Reciprociteti aplikohet mes pakicave, jo mes një pakice dhe një populli shtetformues.
Kjo është ABC-ja e diplomacisë, jo temë për eksperimente politike.

Faleminderit për vëmendjen.

Shpresojmë që sqarimi të konfirmojë se Shqipëria nuk negocion me identitetin, statusin dhe dinjitetin e shqiptarëve, sepse ato nuk janë çështje diplomatike, por themeli i kombit.

Historia i mban mend mirë jo vetëm fjalët që thuhen, por edhe sqarimet që jepen – ose që mungojnë.

Rruga Press

YouTube player