Bahamas e njeh Kosovën, Kurti: Po forcohet subjektiviteti ynë ndërkombëtar
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se Republika e Bahamas ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës, duke u bërë shteti i 121-të që e njeh pavarësinë e saj dhe i katërti vetëm gjatë këtij viti.
Përmes një statusi publik, Kurti ka theksuar se viti 2024 ishte viti i pasaportës së Kosovës, ndërsa viti 2025 po shënohet si vit i njohjeve të reja, pas një periudhe të gjatë pa zhvillime në këtë drejtim. Ai ka uruar qytetarët për këtë arritje dhe ka shprehur mirënjohje të veçantë për presidenten Vjosa Osmani, zyrtarët shtetërorë dhe partnerët ndërkombëtarë që kontribuuan në këtë proces.
Sipas Kurtit, njohja nga Bahamas përforcon më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe hap mundësi të reja bashkëpunimi. Ai ka theksuar se Kosova synon që njohjen e ndërsjellë ta shndërrojë në partneritet të sinqertë me shtetin dhe popullin e Bahamas, duke thelluar marrëdhëniet diplomatike dhe ndërkombëtare.
Rruga Press

