KryesoreLajme

Zbulohet plani: Në Shqipëri do të vendosën emigrantë nga Egjipti dhe Bangladeshi

Nga Alessandra Ziniti, LA REPUBBLICA

Ministria e Brendshme italiane (Viminale) ka tashmë një plan për të rifilluar funksionimin e qendrave në Shqipëri. Madje që në pranverë, nëse do kalojnë marrëveshjet mbi tre rregulloret e reja të miratuara të hënën nga Këshilli i BE-së.

Hapi pasues do të jetë miratimi nga Parlamenti, edhe përpara hyrjes në fuqi të Paktit të ri për azilin dhe migracionin, i planifikuar për 12 qershor të vitit të ardhshëm.

Gjadri: ky është projekti i ministrit të Brendshëm, Matteo Piantedosi. Qendra do të rihapë dyert për azilkërkuesit që vijnë nga vende të sigurta, në pritje të përfundimit të procedurave të përshpejtuara kufitare. Por këta nuk do të merren më drejtpërdrejt nga deti me kontrolle në bordin e anijeve të Marinës; ata do të dërgohen në anën tjetër të Adriatikut nga hotspot-et italiane menjëherë pas mbërritjes së tyre, pavarësisht nëse kjo ndodh me mjete detare italiane, drejtpërdrejt me varka apo edhe pasi janë shpëtuar nga OJQ-të.

Duke e konsideruar qendrën shqiptare si një zonë rikthimi në një vend të tretë të sigurt, falë normave të reja evropiane do të jetë e mundur të mbahen aty emigrantët nga vendet e sigurta, kërkesat e të cilëve do të shqyrtohen përmes procedurave të përshpejtuara kufitare.

Lexo më shumë  Dosja e Prokurorisë për sulmin në Ibër Lepenc: Të akuzuarit vendosën eksploziv, njëri mblodhi edhe informata për ushtrinë serbe

Dhe, sipas vlerësimeve të qeverisë, kësaj here nuk do të bëhet fjalë për disa dhjetëra persona, pasi krijimi i listës evropiane të vendeve të origjinës së sigurta do të lejojë transferimin në Shqipëri të emigrantëve nga Bangladeshi dhe Egjipti, nga të cilat edhe në vitin 2025 ka ardhur shumica e të zbarkuarve, mbi 28 mijë persona. Pothuajse gjysma e totalit të mbërritjeve, të cilëve u shtohen tunizianë dhe marokenë, edhe ata të kthyeshëm shpejt përmes procedurave të përshpejtuara kufitare.

Sipas planit të Viminales, pra, një pjesë e madhe, në mos të gjitha vendet e disponueshme në Gjader, rreth 1.100, mund të mbushen shpejt me një qarkullim të shpejtë, duke qenë se procedurat e përshpejtuara parashikojnë kthimin brenda një muaji. Dhe këtë herë – thonë burime nga Ministria e Brendshme – emigrantët nuk do të mund të përdorin më kartën e ankimit në gjykatë për të anashkaluar ndalimin dhe për t’u rikthyer në Itali në pritje të vendimit mbi refuzimin e mbrojtjes, siç ndodh tani.

Lexo më shumë  Tjetër skandal/ Shembet bankina në rrugën Pogradec-Qafë Plloçë

Mes normave të miratuara nga Këshilli i BE-së është edhe ajo që përjashton pezullimin automatik të kthimit për ata që paraqesin ankim. Emigrantit që i refuzohet leja e qëndrimit mund të apelojë, por kjo nuk do ta pengojë kthimin, përveçse nëse gjyqtari vendos pezullimin e masës së dëbimit.

“Situata në këtë moment është ende subjekt i vendimit përfundimtar të të ashtuquajturit trilog, por është një hap shumë i mirë drejt një zgjidhjeje përfundimtare, që do të sjellë qartësi si nga pikëpamja gjyqësore, ashtu edhe nga ajo operative” – tha dje në Bruksel ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio – “dhe për rrjedhojë nuk do të ketë më hapësirë për hezitime gjyqësore”.

Qeveria, pra, po përgatitet të rivërë në lëvizje mekanizmin e transfertave drejt Shqipërisë, e bindur se lista e re evropiane e vendeve të sigurta është një mjet i mjaftueshëm për të kapërcyer të gjitha kundërshtimet e ngritura nga gjykatat italiane, të cilat kanë anuluar ndalimet, me pasojë që qendra e Gjadrit, zemra e modelit Shqipëri – që dje Konferenca Ipeshkvnore Italiane (CEI) e ka përkufizuar si “në kufijtë e demokracisë” – ka mbetur pothuajse bosh.

Rruga Press

YouTube player