Lituania shpall gjendje të jashtëzakonshme për shkak të “balonave” nga Bjellorusia
Qeveria e Lituanisë shpalli të martën gjendje të jashtëzakonshme për shkak të “balonave të kontrabanduara” me origjinë nga Bjellorusia që kanë ndërprerë aviacionin dhe i kërkoi parlamentit të lejojë ushtrinë të veprojë së bashku me policinë dhe rojet kufitare.
Aeroporti i Vilniusit është mbyllur vazhdimisht për shkak të “balonave”, të cilat Lituania thotë se dërgohen nga kontrabandistë që transportojnë cigare dhe përbëjnë një “sulm hibrid” nga Bjellorusia, një aleat i ngushtë i Rusisë.
“Gjendja e jashtëzakonshme shpallet jo vetëm për shkak të ndërprerjeve të aviacionit civil, por edhe për shkak të interesave të sigurisë kombëtare”, ka thënë ministri i Brendshëm, Vladislav Kondratoviq në një takim qeveritar që u transmetua drejtpërdrejt të martën.
Bjellorusia ka mohuar përgjegjësinë për balonat dhe ka akuzuar Lituaninë për provokime, përfshirë dërgimin e një droni për të hedhur “material ekstremist”, të cilin Lituania e mohon.
Qeveria lituaneze i kërkoi parlamentit t’i japë fuqi ushtarake për të vepruar në bashkëpunim me policinë, rojet kufitare dhe forcat e sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, tha Kondratoviq.
Nëse parlamenti bie dakord, ushtrisë do t’i jepet leje të kufizojë aksesin në një territor, të ndalojë dhe kontrollojë automjete, të kryejë kontrolle mbi njerëzit, dokumentet dhe sendet e tyre personale, si dhe të ndalojë ata që rezistojnë ose dyshohen për krime.
Ushtria do të lejohet të përdorë forcën për këto funksione, tha ministri i Mbrojtjes, Robertas Kaunas. Masat e emergjencës do të zgjasin derisa qeveria t’i tërheqë ato.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha më 1 dhjetor se situata në kufi po përkeqësohej dhe i quajti sulmet një “sulm hibrid” nga Bjellorusia që ishte “krejtësisht i papranueshëm”.
Rruga Press

