Qeveria e Kosovës investon në ortopedi. Ministri Vitia jep lajmin: QKUK dhe spitalet rajonale pajisen me 4 C-arm të rinj
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar për një tjetër investim të rëndësishëm në fushën e ortopedisë, si në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ashtu edhe në spitalet rajonale. Sipas tij, janë siguruar katër pajisje të reja C-arm, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e operacioneve ortopedike.
Dy prej pajisjeve janë dedikuar për QKUK-në, një për Spitalin e Pejës dhe një tjetër për Spitalin e Gjilanit.
Këto pajisje të teknologjisë së avancuar ofrojnë pamje me rreze X në kohë reale gjatë intervenimeve kirurgjike, duke u dhënë kirurgëve ortopedë më shumë siguri dhe saktësi në çdo ndërhyrje. Investimi kap vlerën e rreth gjysmë milioni eurosh.
Ministri Vitia tha se investimet do të vazhdojnë, me fokus në pajisje moderne dhe shërbime të reja për pacientët në të gjithë vendin.
Rruga Press

