KryesoreLajme

Pozhari kundër deklaratave të LDK-së: “Serbët dikur nuk paguanin fare rrymën, mos u bëni qesharakë”

Gazetari Xhevdet Pozhari ka reaguar ndaj deklarimeve të zyrtarëve të LDK-së, të cilët kanë kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë se qytetarët serbë në veri po e paguajnë energjinë elektrike më lirë se pjesa tjetër e vendit. Pozhari ka publikuar një reagim të ashpër, në të cilin ai thotë se LDK po shpërfaq kritika të pjesshme dhe të pasakta për situatën në veri.

Në shkrimin e tij të plotë, Pozhari thekson:

“Nga LDK po thonë se serbët në veri e paguajnë rrymën më lirë se në pjesën tjetër të vendit. Veç nuk po tregojnë se para se të vinte kjo Qeveri, serbët nuk e paguanin rrymën fare. As nuk po tregojnë se u ndalua prodhimi i kriptovalutave që ishin të koncentruara kryesisht në veri ngaqë nuk paguanin rrymën.
Në anën tjetër, Hykmetja tha se me LDK-në ‘veriu kthehet aty ku e ka lënë Edita Tahiri’! Pra, te Ura e Ibrit. E, që i bjen: serbët mos me pagu rrymë fare. Dhe, me vazhdu prodhimi i kriptovalutave.
Koncentrohuni në kritika se po dilni qesharak.”

Lexo më shumë  Kjo është lista e LVV-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Në këtë reagim, Pozhari rikujton se për vite të tëra, para qeverisjes aktuale, komunat me shumicë serbe në veri nuk paguanin asnjë cent për energjinë elektrike, ndërsa ndërhyrjet për të vendosur rend dhe kontroll ishin të kufizuara. Sipas tij, qeveria aktuale jo vetëm që ka filluar të normalizojë pagesën e energjisë, por ka ndërprerë edhe aktivitetet ilegale të prodhimit të kriptovalutave, të cilat në veri funksiononin për shkak të furnizimit falas me rrymë.

Pozhari kritikon edhe deklaratën e deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se LDK do ta kthejë veriun “aty ku e ka lënë Edita Tahiri”. Për gazetarin, kjo nënkupton rikthim tek status quo-ja e dikurshme — me mos-pagesë të rrymës dhe me hapësirë për aktivitete ilegale.

Reagimi i tij mbyllet me apel për opozitën që të artikulojë kritika të bazuara, përndryshe, sipas tij, “po dalin qesharakë”.

YouTube player