Shqipëria mes braktisjes dhe refugjatëve, Rama e sheh shpopullimin si ‘fitore’
Ngritja e kampeve të refugjatëve në Gjadër dhe në Shëngjin u prit me kritika të forta. Marrëveshja mes Ramës dhe Melonit për të strehuar në Shqipëri refugjatët e kapur nga Italia, rezultoi të ishte një dështim.
Përpos ngërçit të krijuar në funksionimin e kampeve, për arsye ligjore, qeveria shqiptare duket e vendosur ta kthejë vendin në një “kosh” emigrantësh të paligjshëm.
Së fundmi, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV) që funksionon si institucion në varësi të Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor. Ka miratuar një projektvendim që i hap rrugë ngritjes së 20 qendrave pritëse për emigrantët në tre qarqe të vendit.
Konkretisht, parashikohet që qendrat të vendosen në qarkun e Korçës, Gjirokastrës dhe Vlorës, me kapacitete që variojnë nga 100 deri në 410 shtretër. Plani bazohet në projektvendimin “Për miratimin e Planit Kombëtar të Kontigjencës për flukset e përziera migratore 2026–2028”. Këto qendra do të shërbejnë për emigrantët nga Afganistani, Pakistan, Irani, Siria, Libani dhe Gaza, të cilët përdorin Shqipërinë dhe Serbinë si rrugë kalimi drejt Greqisë.
Mësimi që qeveria nuk mori nga marrëveshja me Italinë
Italia dhe Shqipëria nënshkruan një marrëveshje për krijimin e kampeve në Shqipëri, ku do të dërgoheshin refugjatë dhe emigrantë të kapur në det, me qëllim përpunimin e kërkesave për azil dhe kthimin e personave me vendime deportimi.
Plani parashikonte përdorimin e zonave si Shëngjini dhe Gjadëri, duke i shndërruar ato në qendra pritjeje për refugjatët që synojnë Europën.
Megjithatë, projekti ka hasur probleme të shumta:
Pengesa ligjore: Gjykata Evropiane hodhi poshtë disa nga premisat, duke e bërë të pamundur funksionimin sipas planit fillestar.
Moszbatimi praktik: Kampet nuk janë përdorur si qendra pritjeje për azilkërkues normalë, por vetëm për persona që duhet të riatdhesohen.
Debat publik dhe kosto të larta: Marrëveshja është kontestuar për efikasitetin e dobët, shpenzimet e mëdha dhe shqetësimet për të drejtat e azilkërkuesve.
Kampet nuk funksionojnë si ishte planifikuar dhe marrëveshja nuk ka arritur objektivat e saj fillestare, duke mbetur në një situatë pezull dhe të diskutueshme.
Shpopullimi që i hap rrugë refugjatëve
Shqipëria po përballet me një fenomen të dyfishtë: nga njëra anë, largimet masive të shqiptarëve drejt Europës po krijojnë një shpopullim të thellë në disa zona; nga ana tjetër, vendi po bëhet një pikë pritjeje për refugjatët dhe emigrantët që kërkojnë të arrijnë në Greqi dhe më pas në vendet e tjera të BE-së.
Ky kontrast është i dukshëm kudo, sidomos në qarqet si Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë, ku qeveria planifikon ngritjen e dhjetëra qendrave pritëse për emigrantët aziatikë dhe sirianë.
Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2025 ra në 3.63 milionë banorë dhe ishte 27 mijë ose 1.2% më pak se në vitin 2024, sipas vlerësimit të fundit nga Instituti i Statistikave të publikuar të enjten. Ky është vlerësimi i parë pas Regjistrimit të Popullsisë të vitit 2023 kur në Shqipëri u numëruan 2.4 milionë banorë, duke rezultuar se 29 mijë shqiptarë braktisën vendin.
Ndërkohë që shqiptarët largohen, hapësirat publike dhe objektet e braktisura po shfrytëzohen për akomodimin e të huajve, duke krijuar një realitet ironik: vendi që humbet banorët e vet po kthehet në epiqendër pritjeje për të tjerët.
Kjo situatë ngre pyetje jo vetëm për menaxhimin e migracionit, por edhe për politikën sociale dhe ekonomike që duhet të përballojë shpopullimin lokal dhe integrimin e refugjatëve.
Rama: Emigracioni shqiptar, “fitim” për vendin
Në një panel të Chatham House në Londër në Tetor të këtij viti, kryeministri Edi Rama u përpoq të paraqiste emigracionin masiv të të rinjve shqiptarë si një histori suksesi për vendin.
“Nuk e shoh këtë si humbje për vendin tonë, por si një fitim”, tha Rama, duke argumentuar se në kohët moderne nuk jetojmë më në një botë me kufij të ndarë dhe qëndrime të thjeshta, por në një realitet global me lëvizje dhe lidhje të shumta ndërkombëtare.
Rama shtoi gjithashtu se shqiptarët po kontribuojnë shumë në vendet pritëse, si Britania, dhe kritikët që e paraqesin këtë fenomen negativisht “duhet të mbyllin gojën e tyre të mallkuar”.
Me këtë qasje, ai shmang të pranojë rolin e politikave të qeverisë së tij si një nga arsyet kryesore të largimit masiv të qytetarëve shqiptarë.
Ndërsa shqiptarët largohen në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, vendi mbetet i boshatisur, ndërsa qeveria fokusohet tek pritja e refugjatëve dhe emigrantëve të huaj. Pyetja që lind është e qartë: a po shndërrohet shpopullimi i vendit në një “fitim” politik për Kryeministrin Rama, ndërkohë që realiteti i qytetarëve që ikin mbetet i padëgjuar?
Rruga Press

