‘Prej 6 vitesh rrugëve’, qytetari nga Durrësi: Pa ryshfet nuk merr shtëpi, po na vjedhin edhe bonusin
Prej gjashtë vitesh jeton në kushte të vështira, me bashkëshorten me sëmundje të rëndë dhe me një vajzë të vogël, ndërsa pret të futet në shtëpinë që i takon me ligj. Kjo është drama e Bashkim Xhikës nga Durrësi, i cili pretendon se është lënë në harresë nga institucionet dhe akuzon për korrupsion e abuzime në procesin e rindërtimit.
Në një rrëfim për ‘Kafe Shqeto’, zoti Xhika shprehet se prej gjashtë vitesh askush nga Bashkia nuk i ka dhënë një përgjigje konkrete.
“Bashkia s’pranon fare të shkosh, as të interesohesh. Të thërrasim ne sot, të thërrasim ne nesër, e s’të thërrasin asnjëherë”, deklaron ai, duke theksuar se gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka marrë asnjë mbështetje institucionale.
Akuzat e tij shkojnë më tej, duke pretenduar se fondet e destinuara për qytetarët e prekur po vidhen. “Përkundrazi, ato kanë dalë, bonusin e marrin për vete dhe e vjedhin,” pohon Xhika.
Ai shton se edhe pse e di numrin e apartamentit që i është caktuar, nuk i është dhënë kurrë çelësi, me pretendimin se banesat po jepen “me mik e me pagesa”. “Këtu te pagesa bën gjithçka. Logjika të çon se këtu bën rryshfeti, s’ka shtet,” shprehet ai me dëshpërim.
Situata financiare e familjes është tejet e rëndë. Qiranë e banesës ku jetojnë aktualisht ia paguan një mik nga Kavaja, pasi ai vetë nuk ka mundësi financiare. “S’kam pasur lekë me e shlyer fare,” rrëfen ai.
Përballë kësaj situate, zoti Xhika ka vendosur t’i drejtohet drejtësisë, duke bërë padi në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). “Kërkoj të marr shtëpinë time dhe të kthejnë bonusin, se ka tre vjet që po vjedhin bonusin tonë,” thotë ai, duke kërkuar zbardhjen e çështjes.
Deklarata për ‘KAFE SHQETO’:
“S’mund, gruan e kam parë me sëmundje të rëndë fare. Një vajzë të vogël në shkollë e s’kam më, s’kam të ardhur. Bashkia s’pranon fare të shkosh as mend, as të interesohesh fare. Të thërrim ne sot, të thërrim ne nesër e s’thërrasin asnjëherë.
Ka u bënë gjashtë vjet. Ato kanë dalë bonusi e e morin për vete e e vjedhin. Unë e kam pranuar të futem pa drita, pa ujë e s’pranojnë ato fare, nuk pranojnë fare as me, me vënë çelësa, as me nda hiç. Si numër e kam marrë, po si shtëpi jo.
E i kanë bërë kush ka ndonjë mik andej, kush ka ndonjë pagesë, se këtu te pagesa bën gjithçka. Po logjika çon se këtu bën rryshfeti. Këtu s’ka shtet, bën rryshfeti.
Qeranë ma ka shlyer një shok nga Kavaja, se unë s’e kam shlyer hiç, e ka shlyer ai, se s’kam pasur lekë me e shlyer fare.
Vetëm ma ka shlyer ai borxh, me thënë. Ai zoti i shtëpisë më ka njëherë thënë 100 herë me e liruar shtëpinë, po s’ ku të shkoj unë, s’kam ku shkoj.
Unë kërkoj të marr shtëpinë time njëherë, e kam bërë padinë edhe në SPAK për këtë punë, e kam bërë padinë në SPAK, vetë i dyti unë, edhe të marr shtëpinë edhe të kthejnë bonusin mor se kanë vjedhur, ka që tre vjet po vjedhin bonusin tonë, në vend që t’i marrim ne të paguajmë qeratë, po i marrin këta të bashkisë e i fusin në bankë për vete.
Unë jam me dializë edhe ajo është po me gjëndra, siç njihen zakonisht, me gjëndra. U operua dy herë edhe pret herën e tretë me u operuar, po s’kam lekë me u operuar”
Rruga Press

