Vuçiq mohon përsëri Masakrën e Reçakut: Tedosijeviq tha të vërtetën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq vazhdon të shikojë nga e kaluara, përkatësisht, duke e mohuar atë, e duke mbrojtur versionin serb se shteti i tyre nuk ka kryer kurrë masakra në Kosovë, e se kjo është vetëm një shpifje nga ana e shqiptarëve.
Përmes një videoje ai ka reaguar pas vendimit dënues të Gjykatës së Apelit ndaj ish-ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.
Më 5 dhjetor 2019, Gjykata e Prishtinës i kishte shqiptuar dënimin me dy vjet burg efektiv ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.
Ai është shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës, për një deklaratë të dhënë vitin 2018, me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.
Të njëjtin dënim, dje Gjykata e Apelit në Prishtinë ia vërtetoi – dy vite burgim.
Por, me këtë nuk është pajtuar as presidenti i Serbisë, Vuçiq. Ai madje, tha se deklarimet e Todosijeviq kanë qenë të vërteta mbi Reçakun.
“Një serb nga veriu i Kosovës, Ivan Todosijeviq, u dënua me dy vjet burg me një vendim përfundimtar vetëm sepse tha të vërtetën. E vërteta për Raçakun, e vërteta për gjithçka që i ndodhi popullit serb”, thotë Vuçiq në videon e postuar në profilin e tij në Instagram.
Ndërkohë, sot gjyqtarët dhe personeli tjetër administrativ nga etniteti serb nuk dolën fare në punë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë të Veriut. Siç u raportua nga mediat lokale, ata nuk u pajtuan me vendimin e Apelit mbi dënimin e Ivan Todosijeviq.
Rruga Press