GJKKO lë në fuqi vendimin/ Zhvesh Belinda Ballukun nga pushteti
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar këtë të shtunë (22 nëntor) pezullimin e Belinda Ballukut nga posti i Zv/kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në seancën që zgjati më shumë se 5 orë, GJKKO ka lënë në fuqi masat e sigurisë për Ballukun dhe dy vartësit e saj Gentian Gjyli dhe Erald Elezi për të cilët është lënë në fuqi masa e arrestit shtëpiak.
“Gjyqtari Erjon Çela vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (si Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë) ndaj të pandehurës Belinda Balluku.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, ndaj të pandehurit Erald Elezi”, informoi GJKKO.
Pas vendimit 3 të pandehurit kanë dalë nga ambientet e gjykatës, duke mos dhënë asnjë deklaratë për mediat.

Me vendim të datës 20 Nëntor, ndaj Belinda Ballukut u caktuan masat e sigurisë të pezullimit nga detyra dhe ndalimit për daljen jashtë shtetit. Ndërsa ndaj administratorit të KESH, Erald Elezi dhe drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli u caktua masë “arrest shtëpie”.

Numri dy i qeverisë Rama është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.
Shkeljet me tenderin për Tunelin e Llogarasë
Më 31 tetor, SPAK mori të pandehur Ballukun për shkelje me tenderin 190 mln euro për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Bashkë me Ballukun, në këtë çështje janë marrë të pandehur edhe 5 persona të tjerë, Gentian Gjyli, ish-drejtori i ARRSH-së Evis Berberi, i cili është i arrestuar për një tjetër çështje, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica. Të 5-të janë marrë të pandehur në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO).
Tenderi u hap fillimisht më 11 dhjetor 2020 dhe u mbyll më 12 shkurt 2021. Por më 19 prill 2021 në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, u njoftua se tenderi ishte anuluar, pasi asnjë ofertë nuk ishte e suksesshme në përputhje me dokumentet e tenderit.
E njëjta garë u shpall 22 qershor 2021 për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, me një fond limit prej afro 190 mln euro pa TVSH. Në tenderin i cili u mbyll më 28 korrik po të vitit 2021, u bënë 5 oferta, ku grupi i dy kompanive turke Intecar dhe Asl, u shpall fitues, me ofertë 170 mln euro plus TVSH.
SPAK dyshon se Balluku dhe Gjyli kanë kryer veprime që mund të kenë ndikuar në mënyrë të padrejtë në këtë proces prokurimi, pasi tenderi u anulua kur oferta më e ulët ishte 140 mln euro dhe u rihap pak muaj më pas dhe ju dha bashkimit të kompanive turke edhe pse kishin ofruar vlerë më të lartë.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr.167 dhe 181 të vitit 2024), për veprën penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.
Më 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues ka njoftuar të pandehurën përmes shkresës me numër protokolli 37398. E pandehura, pasi mori dijeni, ka njoftuar më 23.10.2025, organin procedues se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, me numër protokolli 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi paraqitjen e saj më 31 tetor, në orën 15:00.”- njoftonte SPAK.
Tenderi abuziv në Unazën e Madhe
Zv.kryeministrja e pezulluar, përveç tunelit të Llogarasë është nën hetim edhe për tenderin abuziv në Unazën e Madhe.
SPAK sqaroi se ndaj të pandehurës Belinda Balluku rëndojnë akuzat për kryerjen e veprës penale,“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Ashtu si në rastin e Tunelit të Llogarsë, edhe te ndërtimi i Lotit 4 të Unazës së Madhe, dyshimet janë se Belinda Balluku dhe Evis Berberi kanë paracaktuar fituesin e tenderit. Sipas të dhënave të Openprocurment, gara për tendering e Lotit 4 të Unazësë Madhe u hap në datën 16 gusht 2021 dhe u mbyll në datën 16 shtator të atij viti.
Ndërsa fituesi u shpall në datën 7 tetor 2021. Në garë morën pjesë 8 kompani, por ARRSH ka skualifikuar të gjithë pjesëmarrësit në garë, duke shpallur fitues bashkimin e operatorëve EUROTEOREMA PEQIN shpk – “PE-VLA-KU” sh.p.k – “NOVA Construction 2012” shpk, me ofertë 23.8 milionë euro me tvsh.
Sipas Openprocurment, ky tender është vlerësuar me Flamur të kuq, për shkak se nga gara janë skualifikuar të gjithë operatorët e tjerë pjesëmarrës, ndonëse disa prej tyre kanë ofruar deri në 5 milionë euro më pak se operatori fitues, për ndërtimin e lotit 4 të unazës së madhe të Tiranës.
Jo vetëm tenderi i ndërtimit, por edhe supervizimi i lotit 4 të Unazës së Madhe, dyshohet se është abuziv dhe po hetohet nga SPAK.
Rruga Press

