KryesoreLajme

Peng në kryeministri/ Ç’po negocion Belinda Balluku me Edi Ramën

Të mërkurën në parlament, ndërsa fliste për herë të parë mbi procesin gjyqësor ku u mor e pandehur, Belinda Balluku lëshoi një premtim që reflektonte besnikërinë e saj të palëkundur tek Edi Rama. Ajo premtoi se kurrë, asnjëherë nuk do ta sulmonte drejtësinë e re edhe kur prekej personalisht.

“Nuk do të dëgjoni kurrë nga unë akuza, sharje dhe as kërcënime për drejtësinë e re edhe kur prekem personalisht” u shpreh Balluku me të njëjtin përkushtim ndaj partisë si në kohën kur nuk ishte e pandehur.

Si një zyrtare që e ka ndërtuar karrierën mbi bindjen se linja e partisë është gjithmonë rruga më e sigurt ajo shtoi “kjo drejtësi e re e dalë nga reforma, produkt i vullnetit të PS dhe Ramës, është duke kryer misionin për të cilin u reformua”.

“S’do më dëgjoni kurrë të merrem me prokurorë e gjyqtarë, pasi secili prej tyre bën detyrën ashtu si e gjykon” u shpreh ajo, duke shtuar se bashkë me kolegët e PS e mbështeste reformën në drejtësi, “edhe kur prekemi personalisht”.

Fjalimi respektoi pikë për pikë vijën e partisë. Asnjë devijim. Asnjë lëvizje nga logjika. Asnjë shenjë se interesi personal, mund të dalë mbi interesin e partisë.

Pranë Ballukut në kuvend ishte ulur edhe kryeministri Edi Rama, i cili deri dje kishte refuzuar ta shkarkonte nga detyra por në asnjë rast nuk e ka mbrojtur publikisht. Përkundrazi, në fjalën e tij në Kuvend, Rama u mburr se “sot Shqipëria për herë të parë në histori lufton me korrupsionin dhe heton pa dallim” dhe se PS është “garantja ekskluzive” e pavarësisë së drejtësisë.

Lexo më shumë  Shqipëria ndalon 51 ton misër nga Serbia, konstatohet prani e substancave kancerogjene

Mbrëmjen pas parlamentit Balluku vazhdoi si zakonisht punën e saj si ministre, duke ndarë njoftimet për reshjet e shirave dhe nivelin e ujit në diga. Dukej e qetë. Në fund të fundit, telashet me drejtësinë do t’i përballonte me mburojën që i jepte të qënit nr.2 i qeverise.

Vetëm se pa kaluar as 24 orë, premtimi i saj për besnikëri ndaj partisë po tingëllon i nxituar. Rrethanat ndryshuan me shpejtësi dhe pikërisht atëherë kur gjithçka dukej e qetë për Ballukun, situata u përmbys dhe u bë e paparashikuar.

Mjaftoi firma e gjykatësit Erjon Çela i cili mëngjesin e të enjtes, në seancën e masave të sigurisë, urdhëroi pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra dhe bllokimin e pasaportës, duke e ndaluar të udhëtojë jashtë Shqipërisë.

Si të mos mjaftonin këto, prokurorët e SPAK i shtuan një akuzë të re: shkeljen e barazisë në tenderin e lotit nr.4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Prova të tjera janë gjetur në celularin e Ervis Berberit, ish-vartësi i saj i pakujdesshëm, i cili në bisedat e tij zbulon gjithë mekanizmin e kontrollit të tenderave, një mekanizëm që Prokuroria thotë se lidhet drejtpërdrejt me ministren.

Ajo që gjer dje ndjehej e paprekshme në parlament, e ulur afër Edi Ramës dhe e gatshme të recitonte formulat propagandistike të partisë për drejtësinë e pavarur, sot e sheh veten pa pasaportë, pa pushtet ekzekutiv dhe gati për t’u shndërruar në kurbanin e radhës të Rilindjes.

Lexo më shumë  OSBE dënon gjuhën seksiste ndaj Matoshit: Retorikë kundër standardeve

Prova nuk ka, por instikti e ka çuar direkt në zyrën e Edi Ramës. Aty beson se e ka origjinën kjo kthesë e fortë në procesin gjyqësor, të cilën një ditë më parë nuk ia kishte marrë mendja.

Më herët është përfolur se Belinda Balluku e ka bërë të qartë se nuk do të bjerë e vetme në kthetrat e drejtësisë. Ndaj këtë të enjte është ngujuar bashkë me Edi Ramën në kryeministri. Takimi ka zgjatur shumë, më shumë se 4 orë dhe gjatë pasdites, dyshes Rama-Balluku i është bashkuar edhe kreu i komisionit të ligjeve, Ulsi Manja.

Belinda Balluku, e njëjta që deri dje betohej se nuk do t’i kundërvihej drejtësisë dhe se do t’i qëndronte besnike partisë deri në vetësakrifikim, sot po kërkon ndërmjetësim politik, një marrëveshje pandëshkueshmërie nga Edi Rama. Për të mos shkuar në hapat e Erion Veliajt, i cili e besoi shefin deri në momentin e fundit para se t’i vinin prangat. Për të mos ndjekur as modelin e Arben Ahmetajt, që iku jashtë vendit duke  lëshuar nga atje akuzat e tij për Ramën. Pavarësisht të gjithave, çështja tashmë nuk është politike dhe as penale. Marrëdhëniet tashmë kanë marrë ngjyrat e një thrilleri kriminal dhe situata si këto gjykohen me rregullat e mafias.

YouTube player