Speciale

“Sulltani dhe Shën Françesku”

Pas sulmit terrorist mbi Kullat Binjake në Nju Jork më 11 Shtator 2001, shkrimtarja dhe gazetarja e famshme italiane Oriana Falaçi reagoi ashpër në disa artikuj kundër terroristëve por edhe botës islame. Shkrimtari italian Ticiano Tercani i shkroi një letër të gjatë me titull “Sulltani dhe San Françesku”.

“Oriana, nga dritarja e një shtëpie jo shumë larg asaj ku keni lindur edhe ju, kundroj tehet e rrepta dhe elegante të selvive që zgjaten drejt qiellit, dhe ju imagjinoj ju duke vështruar nga dritaret e shtëpisë suaj në Nju Jork, panoramën e rrokaqiejve, së cilës tashmë i mungojnë Kullat Binjake.

Më vjen në mendje një pasdite e shumë, shumë viteve më parë, kur së bashku bëmë një shëtitje të gjatë nëpër rrugicat e kodrave tona të mbushua me ullinj. Unë sapo kisha nisur profesionin e gazetarit në të cilin ju tashmë ishit bërë e famshme, dhe ju më propozuat që të shkëmbenim “Letra nga dy botë të ndryshme”:unë nga Kina e post-Maos ku do të shkoja të jetoja, dhe ju nga Amerika.

Nuk ndodhi për fajin tim. Sot i lejoj vetes që t’ju shkruaj në emër të asaj oferte të dikurshme bujare, dhe sigurisht jo për t’u përfshirë tani në një korrespondencë që ne të dy duam që ta shmangim. Sot më shumë se kurrë më parë, edhe pse jetojmë në të njëjtin planet, kam përshtypjen se gjendem në një botë që është absolutisht e ndryshme nga e jotja.

Gjithashtu unë po ju shkruaj – dhe për këtë arsye publikisht – për të mos dëgjuar shumë ata lexues që ashtu si unë janë të habitur nga reagimet tuaja, siç u habitën nga shembja e dy Kullave. Atje vdiqën mijëra njerëz, dhe bashkë me ta edhe ndjenja jonë e sigurisë. Sipas asaj që ju shkruani, me këtë akt duket se ka vdekur më e mira e mendjes njerëzore, arsyeja; dhe më e mira e zemrës – dhembshuria.

Reagimi juaj i ashpër më bëri shumë përshtypje, më lëndoi, dhe më bëri të mendoj për Karl Krausin. “Cilido që ka diçka për të thënë, le të dalë përpara dhe të flasë ose ta qepë gojën!”-shkroi ai, i dëshpëruar që përballë tmerrit të papërshkrueshëm që shkaktoi nisja e Luftës së Parë Botërore, njerëzve nuk u ishte paralizuar ende gjuha.

Përkundrazi, ajo ishte lëshuar pa fre, duke krijuar një debat absurd dhe konfuz. Për Krausin, të heshtje në atë kushte do të thoshte të merrje frymë, të kërkoje fjalët e duhura, të reflektoje para se të shpreheshe. Ai e përdori atë heshtje të vetëdijshme për të shkruar librin “Ditët e fundit të njerëzimit”, një vepër që ende përcjell një aktualitet shqetësues.

Të mendosh atë që mendon dhe ta shkruash atë është e drejta jote. Por problemi, është se falë famës suaj, leksioni juaj i shkëlqyer mbi intolerancën po mbërrin tani edhe në shkolla, duke ndikuar tek shumë të rinj dhe kjo gjëmë shqetëson. Ky është një moment që ka një rëndësi të jashtëzakonshme.

Tmerri i papërshkrueshëm sapo ka filluar. Por ende është e mundur që ai të ndalet, duke e shndërruar këtë moment në një mundësi të shkëlqyer për t’i ri-menduar gjërat. Po ashtu ky është një moment që bart një përgjegjësie të madhe, pasi disa fjalë emocionale, të artikuluara nga gjuhët e zgjidhura, shërbejnë vetëm për të zgjuar instinktet tona më të ulëta, për të nxitur “bishën” e urrejtjes që fle tek secili prej nesh, dhe për të provokuar ato pasione të verbra që e bën të mendueshëm çdo krim, dhe që na lejon neve dhe armiqve tanë të kryejmë vetëvrasje dhe vrasjen e të tjerëve.

“Mbajtja nën kontroll e pasioneve më duket një detyrë shumë më e vështirë sesa pushtimi i botës me forcën e armëve. Para meje kam ende një rrugë të vështirë përpara”-shkroi në vitin 1925 Mahatma Gandi. Dhe shtonte:“Derisa njeriu nuk do ta vendosë me dëshirë veten në vendin e fundit midis krijesave të tjera në tokë, për tënuk do të ketë shpëtim”.

Dhe ju, Oriana,a besoni vërtet se po na ofroni shpëtim, duke e vënë veten në krye të kësaj kryqëzate kundër të gjithë atyre që nuk janë si ju apo që nuk ju pëlqejnë? Shpëtimi nuk gjendet tek zemërimi juaj i madh, dhe as tek fushata e programuar ushtarake e quajtur “Liri e qëndrueshme” vetëm për ta bërë atë më të pranueshme.

Apo vërtet ju mendoni se dhuna është mënyra më e mirë për të mposhtur dhunën? Që nga fillimi i botës nuk ka pasur ende asnjë luftë që t’i ketë dhënë fund të gjitha luftërave. Dhe as kjo e fundit nuk do të jetë e tillë. Ajo që po ndodh me ne është e re. Bota rreth nesh po ndryshon.

Atëherë le të ndryshojmë edhe ne mënyrën tonë të të menduarit, mënyrën tonë të të qenit në këtë botë. Ky është një shans i madh. Le të mos e humbim atë:le të rivëmë në pikëpyetje gjithçka, le të imagjinojmë një të ardhme të ndryshme nga ajo që kishim iluzionin se kishim para 11 shtatorit, dhe mbi të gjitha le të mos i dorëzohemi pashmangshmërisë së asgjëje, aq më pak pashmangshmërisë së luftës si instrument i drejtësisë apo thjesht i hakmarrjes.

Të gjitha luftërat janë të tmerrshme. Përsosja e teknikave moderne të shkatërrimit dhe vdekjes, i bën ato gjithnjë e më të tilla. Le ta mendojmë më mirë këtë punë:në rast se jemi të gatshëm të angazhohemi në luftën aktuale me çdo armë që kemi në dispozicion, përfshirë atë bërthamore, siç propozohet nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, atëherë duhet të presim që armiqtë tanë, kushdo qofshin ata, të jenë edhe më të vendosur se më parë për të bërë të njëjtën gjë si ne, pra për të vepruar pa rregulla, pa respektuar asnjë parim.

Nëse ne i përgjigjemi dhunës së sulmit të tyre ndaj Kullave Binjake me një dhunë edhe më të tmerrshme – tani në Afganistan, pastaj në Irak, më vonë kush e di se ku – dhuna jonë do të pasohet domosdoshmërisht nga një dhunë edhe më e tmerrshme nga pala tjetër, më pas një kundërpërgjigje jona e kështu me radhë.

Po pse të mos ndalemi që tani? Ne e kemi humbur vetëdijen se kush jemi, ndjenjën se sa e brishtë dhe e ndërlidhur është bota ku jetojmë. Ndaj gënjejmë veten se mund të përdorim një dozë dhune, ndoshta “inteligjente”, për t’i dhënë fund dhunës së tmerrshme të të tjerëve. Le t’i japim fund këtij iluzioni, dhe sa për fillim le t’u kërkojmë tanëve në Perëndim që janë të pajisur me armë bërthamore, armë kimike dhe armë biologjike – me Shtetet e Bashkuara në krye – që të angazhohen solemnisht para gjithë njerëzimit, se nuk do t’i përdorin kurrë këto armë, në vend se të na kujtojnë kërcënueshëm disponueshmërinë e tyre.

Ky do të ishte hapi i parë në një drejtim të ri. Kjo jo vetëm që do t’u jepte një avantazh moral atyre që e bëjnë këtë – që është në vetvete një armë e rëndësishme për të ardhmen – por gjithashtu mund të zbusë tmerrin e papërshkrueshëm që është aktivizuar tani nga reagimi zinxhir i hakmarrjes.

Këto ditë më ka rënë në duar një libër i bukur (sa keq që nuk është përkthyer ende në italisht) nga një miku im i vjetër, i botuar 2 vjet më parë në Gjermani. Libri titullohet “Die Kunst, nicht regiert zu werden:Ethische Politik von Sokrates bis Mozart (Arti i të mos qeverisurit:Etika politike nga Sokrati tek Moxarti).

Autori është Ekehart Kripendorf, që ka dhënë për shumë vite mësim në Universitetin e Bolonjës në Itali, para se të rikthehej në Universitetin e Berlinit. Teza magjepsëse e Kripendorf qëndron në shprehjen e saj më fisnike, se politika lind nga kapërcimi i hakmarrjes, dhe se kultura perëndimore i ka rrënjët e saj më të thella në disa mite, si ai i Kainit dhe i Erinies, të cilat kanë pasur gjithnjë si synim t’i kujtojnë njeriut nevoja për të thyer rrethin vicioz të hakmarrjes dhe për t’i hapur rrugë ndërtimit të qytetërimit.

Kaini vrau vëllanë e tij, por Zoti i ndaloi njerëzit që të hakmerren për Abelin, dhe pasi e njollosi përjetë Kainin, e dënoi atë me dëbim në një vend të largët ku ai themeloi qytetin e parë. Hakmarrja nuk i përket njerëzve, por Zotit.

Sipas Kripendorf, teatri, nga Eskili tek Shekspiri, ka luajtur një rol vendimtar në formimin e njeriut perëndimor, pasi me ngjitjen në skenë të gjithë protagonistëve të një konflikti, secili me këndvështrimin, reflektimet, dhe zgjedhjet e tij të mundshme të veprimit, teatri na ka shërbyer për të na nxitur të reflektojmë mbi kuptimin e pasioneve, dhe mbi padobishmërinë që ka dhuna, e cila nuk i arrin asnjëherë synimet e saj.

Fatkeqësisht sot në skenën e botës, ne perëndimorët jemi protagonistët dhe spektatorët e vetëm. Kësisoj, përmes televizioneve dhe gazetave tona, ne dëgjojmë vetëm arsyet tona, dhe nuk ndiejmë asgjë tjetër veç dhimbjes sonë. Ju Oriana, nuk jeni e interesuar mbi kamikazët. Ndërkohë mua më interesojnë shumë. Kam kaluar disa ditë në Sri Lanka me disa të rinj nga “Tigrat Tamilë”, të cilët kishin planifikuar të kryenin akte kamikaze.

Unë jam i interesuar edhe për palestinezët e rinj të organizatës së “Hamasit” që hedhin veten në erë në piceritë e Izraelit. Ndoshta pak keqardhje do të ndjeni edhe ju nëse në Japoni, në ishullin Kjushu, do të kishit vizituar Kiranin, qendrën ku u stërvitën kamikazët e parë, dhe do të kishit lexuar fjalët, që duken ndonjëherë poetike dhe shumë të trishta, të shkruara fshehurazi para se ata të shkonin të vdisnin pa dëshirë për flamurin dhe Perandorin. Sulmuesit vetëvrasës më interesojnë, pasi unë do të doja të kuptoja se çfarë i bën ata kaq shumë të gatshëm për të ndërmarrë këtë akt të panatyrshëm siç është vetëvrasja, dhe çfarë mund t’i ndalojë ata.

Ata nga ne nesh, fëmijët e të cilëve – për fat të mirë – kanë lindur këtu, janë shumë të shqetësuar kur i shohin ata të digjen në flakën e këtij lloji të ri të dhunës së shfrenuar, ku masakra që u pa në Kullat Binjake mund të jetë veçse një nga episodet.

Kjo nuk është një çështje justifikimi, faljeje, por të kuptuari. Sepse unë jam i bindur se problemi i terrorizmit nuk do të zgjidhet duke vrarë terroristët, por duke eleminuar arsyet që i bëjnë ata të tillë.

Asgjë në historinë njerëzore nuk është e lehtë të shpjegohet, dhe ndodh rrallë që të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë dhe të saktë midis një fakti dhe një tjetri. Çdo ngjarje, edhe në jetën tonë, është rezultat i mijëra shkaqeve që prodhojnë, së bashku me atë ngjarje, mijëra efekte të tjera, të cilat nga ana e tyre janë shkaqet e mijëra efekteve të tjera.

Sulmi mbi Kullat Binjake është një nga këto ngjarje:rezultat i shumë ngjarjeve të mëparshme dhe komplekse. Sigurisht që nuk është akti i një “lufte fetare” nga ekstremistët myslimanë për pushtimin e shpirtrave tanë, një Kryqëzatë e përmbysur, siç e quani ju Oriana.

Ai nuk është “një sulm ndaj lirisë dhe demokracisë perëndimore”, siç do ta donte formula e thjeshtëzuar që e përdorin tani politikanët. Një studiues i vjetër në Universitetin e Berklit, SHBA, një njeri sigurisht që nuk dyshohet për anti-amerikanizëm apo simpatizim të së majtës, ka një interpretim krejtësisht të ndryshëm të kësaj historie.

“Kamikazët e 11 Shtatorit nuk sulmuan Amerikën: Ata sulmuan politikën e jashtme amerikane”- shkruan Shalmers Xhonson në numrin e 15 tetorit të “The Nation”. Për Xhonson, autori i librave të ndryshëm,ky sulm ka diçka profetike.

Ai është thjesht një tjetër “kundërpërgjigje” ndaj faktit se pavarësisht fundit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së Bashkimit Sovjetik, Shtetet e Bashkuara e kanë mbajtur të paprekur rrjetin e vet perandorak prej rreth 800 bazash ushtarake në të gjithë botën.

Me një analizë, e cila në kohën e Luftës së Ftohtë do të dukej një produkt i dezinformimit nga KGB-ja, Xhonson liston që të gjitha mashtrimet, komplotet, grushtet e shtetit, persekutimet, vrasjet dhe ndërhyrjet në favor të regjimeve diktatoriale dhe të korruptuara, ku Shtetet e Bashkuara janë përfshirë hapur ose në mënyrë të fshehtë në Amerikën Latine, Afrikë, Azi dhe Lindjen e Mesme nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe deri më sot.

“Kundërgoditja” e sulmit ndaj Kullave Binjake dhe Pentagonit, ka të bëjë pra me një seri të tërë faktesh të këtij lloji:fakte që fillojnë nga grushti i shtetit i frymëzuar nga CIA kundër Mosadek në vitin 1953, i pasuar nga instalimi i Shahut në Iran, me Luftën e Gjirit Persik, me praninë e vazhdueshme të trupave amerikane në gadishullin Arabik, në veçanti Arabinë Saudite ku ndodhen vendet e shenjta të besimit Islam.

Sipas Xhonson, ishte kjo politikë amerikane ajo “që bindi kaq shumë njerëz të mirë në të gjithë botën islame, se Shtetet e Bashkuara janë një armik i paepur”. Ajo shpjegon edhe anti-amerikanizmin virulent të përhapur në botën myslimane, i cili sot i befason aq shumë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Pavarësisht nëse është apo jo e saktë analiza e Shalmers Xhonson, është e qartë se në thelbin e të gjitha problemeve aktuale të amerikanëve dhe tonave në Lindjen e Mesme, përveç çështjes izraelito-palestineze, ekziston shqetësimi obsesiv i perëndimoreve për t’i mbajtur rezervat e naftës në duart e regjimeve “miqësore”, pavarësisht se kush janë këta.

Ky ishte edhe kurthi. Dhe tani kemi mundësinë për të dalë prej tij. Pse nuk e rishikojmë varësinë tonë ekonomike nga nafta? Pse nuk i studiojmë realisht, siç mund të kishim bërë për rreth 20 vite, të gjitha burimet e mundshme alternative të energjisë?

Në këtë mënyrë ne do të shmangnim bashkëpunimin tonë me regjime jo më pak represive dhe urrejtëse sesa talebanët në Gjirin Persik; dhe do të shmangnim “pasojat” gjithnjë e më katastrofike që do të shkaktoheshin nga kundërshtarët e atyre regjimeve, dhe ne kemi ende mundësi që të kontribuojmë në ruajtjen e një ekuilibri më të mirë ekologjik në planet.

Ndoshta ne shpëtojmë edhe Alaskën, e cila vetëm disa muaj më parë u hap për eksploruesit nga presidenti Bush, rrënjët politike të të cilit – siç e dinë që të gjithë – janë tek kompanitë e naftës. Dhe duke folur për naftën, Oriana, jam e sigurt që edhe ju do ta keni vënë re se me gjithë atë që shkruhet dhe thuhet për Afganistanin, shumë pak e theksojnë faktin se interesi i madh në këtë vend lidhet me faktin se ai është vendi tranzit i detyrueshëm i çdo tubacioni që synonte të sillte burime të mëdha të gazit dhe naftës të Azisë Qendrore (pra të ish republikave sovjetike që janë tashmë që të gjitha aleate të Shteteve të Bashkuara) në Pakistan, Indi dhe prej andej në vendet e Azisë Juglindore. Dhe kjo pa pasur nevojë për të kaluar përmes Iranit.

Ditët e fundit askush nuk e ka rikujtuar se në vitin 1997, dy delegacione të talibanëve “të tmerrshëm” u pritën në Uashington (madje edhe në Departamentin e Shtetit) për të negociuar mbi këtë çështje, dhe se një kompani e madhe amerikane e naftës, Unocal, me këshillën e vetë Henri Kisinger, ka arritur një marrëveshje me Turkmenistanin për ta ndërtuar atë tubacion përmes Afganistanit.

Prandaj është e mundur që pas diskutimeve mbi nevojën e mbrojtjes së lirisë dhe demokracinë, sulmi i afërt mbi Afganistan fsheh edhe konsiderata të tjera më pak të forta, por jo më pak vendimtare.

Kjo është arsyeja pse disa intelektualë në Amerikë po fillojnë të shqetësohen, se kombinimi i interesave të industrisë së naftës me ato të industrisë së luftës – një kombinim tani i përfaqësuar dukshëm në strukturën e pushtetit në Uashington – do të diktojë në një drejtim unik zgjedhjet e ardhshme politike amerikane, duke i kufizuar ato brenda vendit, për shkak të emergjencës të antiterrorizmit, dhe sidomos liritë e jashtëzakonshme që e bëjnë kaq të veçantë Amerikën.

Fakti që një gazetar amerikan u kritikua nga foltorja e Shtëpisë së Bardhë pse pyeti nëse epiteti “burracakë”, i përdorur nga Bush, ishte i përshtatshëm për kamikazët, si dhe mbi censurimin e programeve të caktuara dhe distancimin e disa gazetave, nga bashkëpunëtorët qëndrimet e të cilëve konsiderohen “jo ortodokse”, i kanë shtuar më tej këto shqetësime.

Mua më ngjan se duke e ndarë botën në një mënyrë “talebane” – midis “atyre që janë me ne dhe atyre kundër nesh”, kjo krijon kushtet për atë klimë të ‘gjuetisë së shtrigave’ nga e cila Amerika vuajti shumë në vitet 1950 me Mekartizmin, kur shumë intelektualë, zyrtarët shtetërorë dhe akademikë, të akuzuar padrejtësisht si komunistë apo simpatizantë të tyre, u persekutuan, u nxorën para gjyqit apo u lanë pa punë.

Sulmi juaj Oriana kundër intelektualëve “të dyshimit” shkon në të njëjtin drejtim. Dyshimi është një funksion thelbësor i të menduarit; dyshimi është themeli i kulturës sonë. Të duash të zhdukësh dyshimin nga kokat tona, është si të duash të heqësh ajrin nga mushkëritë tona.

Unë nuk pretendoj aspak të kem përgjigje të qarta dhe të sakta për problemet e botës (për këtë arsye nuk jam politikan). Por mendoj se është e dobishme të më lejoni të dyshoj mbi përgjigjet e të tjerëve, dhe më lejoni të shtroj disa pyetje të sinqerta.

Në këto kohë lufte, nuk duhet të jetë krim të flasësh për paqen. Mjerisht, edhe këtu, veçanërisht në botën “zyrtare” të politikës dhe establishmentit të medias, ka pasur një nxitim të dëshpëruar drejt ortodoksisë. Duket sikur Amerika po na frikëson.

Kështu ndodh të dëgjosh në televizion një post-komunist që ka mbajtur ndonjë post në partinë e tij, se ushtari Rajan është simbol i rëndësishëm i asaj Amerike që na ka shpëtuar dy herë. A nuk ishte ai në marshim edhe kundër luftës amerikane në Vietnam?

Unë e kuptoj se për politikanët ky është një moment shumë i vështirë. Unë i kuptoj ata, dhe e kuptoj edhe më shumë ankthin e dikujt që duke e cilësuar rrugën e pushtetit si një shkurtore për të zgjidhur një konflikt të vogël interesash tokësore, e sheh tani veten duke u përballur me një konflikt të madh interesash hyjnore, një luftë qytetërimesh të zhvilluar në emër të Zotit dhe Allahut.

Jo. Unë nuk i kam zili politikanët. Ne jemi me fat, Oriana. Ne kemi pak për të vendosur, dhe meqenëse nuk gjendemi në mesin e valëve të lumit, kemi privilegjin të jemi në gjendje të qëndrojmë në breg dhe të shohim nga larg rrymën e fortë.

Por kjo na imponon edhe përgjegjësi të mëdha, siç është ajo e ndjekjes të së vërtetës, dhe për t’iu përkushtuar mbi të gjitha “ndërtimit të fushave të mirëkuptimit, në vend të fushave të betejës”, siç shprehet Eduard Said, profesori me origjinë palestineze i Universitetit të Kolumbias, në një ese mbi rolin e intelektualëve të botuar vetëm një javë para sulmeve terroriste në Amerikë.

Puna jonë ka të bëjë gjithashtu edhe me thjeshtimin e asaj që është e ndërlikuar. Por Oriana, ne nuk mund ta ekzagjerojmë, duke e paraqitur Arafatin si thelbin e dyfytyrësisë dhe terrorizmit, dhe duke i etiketuar komunitetet e emigrantëve myslimanë në vendin tonë si inkubatorë të terroristëve.

Tani argumentet tuaja do të përdoren nëpër shkolla kundër atyre që sillen mirë. Por ju besoni vërtet se italianët e së nesërmes, të arsimuar me këtë thjeshtëzimin intolerant, do të jenë më mirë nga sa janë sot? A nuk do të ishte më mirë nëse edhe ata të mësonin se çfarë është Islami në lëndën e fesë?

Apo që në orën e letërsisë të lexojnë veprat e Rumit apo Omar Kajamit? A nuk do të ishte më mirë nëse do të kishte nga ata që studiojnë arabisht, përveç atyre që tashmë studiojnë anglisht dhe ndoshta japonisht? A e dini se në Ministrinë e Jashtme Italiane, vendi ynë me pamje nga Mesdheu dhe bota myslimane, ka vetëm dy zyrtarë që flasin arabisht?

Njëri është aktualisht konsull në Adelaide të Australisë. Në këtë moment më vjen ndër mend një thënie nga Tojnbi:“Veprat e artistëve dhe shkrimtarëve, kanë një jetë më të gjatë sesa sukseset e ushtarëve, burrave të shtetit dhe tregtarëve. Poetët dhe filozofët shkojnë më tej sesa historianët. Por shenjtorët dhe profetët vlejnë më shumë se të gjithë të tjerët së bashku”.

Dhe ku janë janë sot shenjtorët dhe profetët? Në fakt, do të duhej të paktën një i tillë! Ne kemi sërish nevojë për një Shën Françesk. Edhe koha e papatit të tij ishte ajo e Kryqëzatave. Por interesi i tij kishte të bënte me “ne të tjerët”, dhe kundër atyre për të cilat luftuan kryqtarët. Ai bëri gjithçka që mundi për t’i vizituar ata.

Ai tentoi herën e parë, por anija me të cilën po udhëtonte u prish, dhe ai mezi mbijetoi. E provoi për herë të dytë, por u sëmur para se të arrinte atje. Më në fund, gjatë Kryqëzatës së Pestë, gjatë rrethimit të Damietës në Egjipt, tejet i hidhëruar nga sjellja e kryqtarëve (pa të keqen dhe mëkatin), i mërzitur nga një betejë e tmerrshme ku kishte parë viktimat, Shën Françesku kaloi vijën e frontit. Ai u kap, u lidh me zinxhirë dhe u çua para Sulltanit.

Sa keq që CNN nuk ekzistonte në atë kohë- ishte viti 1219 – sepse do të ishte shumë interesante të shihej sot video e atij takimi. Sigurisht që ai ishte shumë i veçantë, pasi pas një bisede që ndoshta vazhdoi gjithë natën, në mëngjes Sulltani e lejoi Shën Françeskun të kthehej i padëmtuar në kampin e Kryqtarëve.

Argëtohem teksa mendoj se njëri i tha tjetrit arsyet, se Shën Françesku foli në atë takim për Krishtin, se Sulltani lexoi fragmente nga Kurani, dhe se në fund ata ranë dakord për mesazhin që i varfri nga Asisi e përsëriti kudo:“Duaje fqinjin si veten tënde!”.

Po ashtu kënaqem kur imagjinoj se meqë frati dinte të qeshte ashtu siç dinte të predikonte, mes të dyve nuk pati asnjë agresion verbal,dhe se ata e linin njëri -tjetrin të flisnin me një humor të mirë, duke e ditur se në çdo rast ata nuk mund ta ndalnin dot historinë.

Por sot? Mos-ndalja e historisë mund të nënkuptojë fundin e saj. A ju kujtohet Oriana, Atë Balduçi kur predikonte në Firence kur ne ishim të rinj? Mbi tmerrin e holokaustit atomik, ai parashtroi një pyetje të mirë:“A e bëri njeriun më human sindromi i fundit i botës, alternativa midis të qenit dhe të mos-qenit?”.

Duke parë përreth, përgjigja më duket se është “Jo!”. Por ne nuk mund të heqim dorë nga shpresa. Më thuaj, çfarë e shtyn njeriun drejt luftës?”-e pyeste Albert Ajnshtajni Sigmund Frojdit në vitin 1932 përmes një letre. “A është e mundur ta drejtosh evolucionin psikik të njeriut, në mënyrë që ai të bëhet më i aftë t’i rezistojë psikozës së urrejtjes dhe shkatërrimit?”. Frojdit iu deshën 2 muaj për t’iu përgjigjur. Përfundimi i tij ishte se kishte shpresë:ndikimi i dy faktorëve – një qasje më civile, dhe frika e justifikuar nga efektet e një lufte të ardhshme – duhet t’i kishte dhënë fund luftërave në të ardhmen e afërt.

Në kohën e duhur, vdekja ia kurseu Frojdit tmerret e Luftës së Dytë Botërore. Por nuk pati të njëjtin fat Ajnshtajnit, që megjithatë u bind gjithnjë e më shumë për nevojën e pacifizmit. Në vitin 1955, pak para vdekjes së tij, nga shtëpia e tij e vogël në Prinston, SHBA, ku kishte gjetur strehim, ai bëri një apel përfundimtar për mbijetesën e njerëzimit:“Mos harroni se jeni njerëz, dhe harroni gjithçka tjetër!”.

Oriana, për të mbrojtur veten, nuk ka nevojë që të fyesh (mendja më shkon tek sulmet e tua). Për të mbrojtur veten, nuk ka nevojë të vrasësh. Dhe madje edhe në këtë aspekt, mund të ketë vetëm përjashtime. Më ka pëlqyer gjithmonë Jataka, historitë e jetës së mëparshme të Budës, në të cilat edhe ai, mishërimi i mospërdorimit të dhunës, vret në një mishërim të mëparshëm.

Ishte duke udhëtuar në një anije me 500 persona të tjerë. Duke pasur tashmë fuqinë e parashikimit të së ardhmes, ai“sheh” se një nga pasagjerët, një hajdut, është gati që t’i vrasë të gjithë me synim grabitjen e tyre. Ai e pengon duke e hedhur në ujë, për ta mbytur dhe shpëtuar të tjerët.

Të jesh kundër dënimit me vdekje, nuk do të thotë të jesh kundër këtij dënimit në përgjithësi, dhe në favor të lirisë së të gjithë kriminelëve. Por për të ndëshkuar me drejtësi fajtorët, lipset të respektohen disa rregulla që janë fryt i qytetërimit, na duhet bindja e arsyes, na duhen provat.

Hierarkët nazistë u nxorën para Gjykatës së Nurembergut; ata japonezë përgjegjës për të gjitha mizoritë e kryera në Azi, dolën para Gjykatës së Tokios para se të vareshin. Provat kundër secilit prej tyre ishin të shumta. Po ato kundër Osama Bin Laden?

“Ne kemi të gjitha provat kundër Uoren Anderson, presidentit të“Union Carbide”. Ne po presim që ju ta ekstradoni atë ”- shkruan Arundhati Roi, shkrimtarja e librit “Zotit të gjërave të vogla, pra një si ti Oriana, e famshme dhe e kontestuar, e dashur dhe e urryer.

Ashtu si ti, gjithmonë gati për të filluar një konflikt, Roi e shfrytëzoi debatin mbarëbotëror mbi Osama bin Laden për të kërkuar që presidenti amerikan i “Union Carbide”, përgjegjës për shpërthimin e vitit 1984 në fabrikën kimike në Bopal të Indisë, që vrau mbi 16.000 njerëz, të nxirret para një gjykate indiane.

Edhe ai terrorist? Nga pikëpamja e të vdekurve ndoshta po. Imazhi i terroristit, që po na tregohet tani si ai i “armikut” që duhet vrarë është miliarderi saudit, që nga një strofkë në malet e Afganistanit, urdhëroi sulmin mbi Kullat Binjake.

Ai është inxhinier-pilot, një islamik fanatik, qënë emër të Allahut vret veten dhe mijëra njerëz të pafajshëm. Ai është djali palestinez që e hedh veten në erënë mesin e një turme, i veshur me një jelek plot dinamit. Sidoqoftë, duhet të pranojmë që për ne të tjerët “terrorist” mund të jetë biznesmeni që mbërrin në një vend të varfër të Botës së Tretë, jo me një bombë në çantën e dorës, por me planet për ndërtimin e një fabrike kimike, e cila për shkak të rreziqeve të shpërthimit dhe ndotjes, nuk mund të ndërtohej kurrë në një vend të pasur të Botës së Parë.

Po termocentrali bërthamor që i sëmur nga kanceri njerëzit që jetojnë pranë tij? Po diga që zhvendos dhjetëra mijëra familje? Apo ndërtimi i shumë industrive të vogla, që çimentojnë fushat shekullore të orizit, duke i shndërruar mijëra fshatarë në punëtorë që prodhojnë atlete apo radio, deri në ditën kur është më e përshtatshme që këto procese të transferohen diku tjetër, fabrikat të mbyllen, punëtorët të mbeten të papunë, dhe meqë nuk ka më fusha për të rritur orizin, këta të fundit të vdesin nga uria?

Ky nuk është relativizëm. Unë thjesht dua të them se terrorizmi, si një mënyrë e përdorimit të dhunës, mund të shprehet në forma të ndryshme, ndonjëherë edhe në ato ekonomike, dhe se do të jetë e vështirë të arrihet në një përkufizim të përbashkët të armikut që duhet neutralizuar.

Qeveritë perëndimore janë sot të bashkuara për të qenë në anën e Shteteve të Bashkuara. Ato pretendojnë se e dinë saktësisht se cilët janë terroristët, dhe se si do të luftohet kundër tyre. Gjithsesi, qytetarët e vendeve të ndryshme duken shumë më pak të bindur. Për momentin në Evropë, nuk ka pasur demonstrata masive për paqen.

Por ndjenja e shqetësimit është e përhapur,ashtu siç është edhe konfuzioni në lidhje me atë që dikush duhet të dëshirojë në vend të luftës. “Na jep diçka më të bukur se kapitalizmi”- thuhej në një parullë që mbahej nga një demonstrues në Gjermani. “Një botë të drejtë qënuk ka lindur ndonjëherë”, shkruhej në banerin e disa të rinjve që marshuan në Bolonjë disa ditë më parë.

Po, një botë “më e drejtë” është ndoshta ajo që mund të presim të gjithë, tani më shumë se kurrë më parë. Një botë në të cilën ata që kanë aq shumë, shqetësohet për ata që nuk kanë asgjë; ku një botë qeveriset nga parimet e ligjshmërisë dhe frymëzohet nga pak më tepër moral.

Aleanca e madhe, që po ndërton Uashingtoni, duke përmbysur kampet e vjetra dhe duke bërë bashkë vendet dhe personazhe që dikur ishin kundër njëri-tjetrit, vetëm sepse tani janë sërish në pozita komode, është vetëm shembulli radhës i këtij cinizmi politik që ushqen sot terrorizmin në disa zona të botës dhe dekurajon shumë njerëz të mirë në vendet tona.

Për të pasur mbulimin më të madh të mundshëm, dhe për t’i dhënë luftës kundër terrorizmit një mbulesë të ligjshmërisë ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara kanë përfshirë Kombet e Bashkuara, edhe pse SHBA-ja mbetet vetë vendi më ngurrues për të paguar detyrimet e saj ndaj OKB-së.

Ajo nuk ka ratifikuar ende traktatin themelues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, as atë për ndalimin e minave kundër personelit, dhe aq më pak Protokollin e Kiotos për ndryshimet klimatike. Interesi kombëtar amerikan dominon mbi çdo parim tjetër.

Për këtë arsye, Uashingtoni tani po ri-zbulon dobinë e Pakistanit, vend që më herët mbahej në distancë për shkak të regjimit të tij ushtarak që ishte ndëshkuar me sanksione ekonomike për testet e tij bërthamore.

Për këtë arsye, shumë shpejt CIA do të autorizohet të punësojë sërish mafien dhe gangsterët për të kryer “punët e pista” të likuidimit këtu dhe atje të njerëzve që vetë CIA do t’i vendosë në listën e saj të zezë. Por nëse duam të jetojmë në një botë më të mirë në Azi, Afrikë, Timbuktu apo Firence,një ditë politika do të duhet të ribashkohet me etikën.

Meqë ra fjala. Oriana, edhe unë çdo herë, që ashtu sikurse edhe tani shkoj atje, ky qytet më dhemb dhe më trishton. Gjithçka ka ndryshuar, gjithçka është vulgare. Por nuk është faji i Islamit apo i emigrantëve që janë vendosur atje. Nuk janë ata që e kanë bërë Firencen një qytet dyqanxhinjsh, i cili prostituon për t’i shërbyer turizmit!

Kjo gjë ndodhi gjithandej. Firence ishte një qytet i bukur kur ishte më i vogël dhe më i varfër. Tani është një turp i vërtetë, por jo për shkak të myslimanëve që popullojnë Piazza del Duomo, apo pse filipinasit mblidhen të enjten në Piazza Santa Maria Novella, apo shqiptarët çdo ditë përreth stacionit.

Kjo ndodh sepse edhe Firence është “globalizuar”, sepse nuk i ka rezistuar sulmit të asaj force, e cila deri dje, dukej e pa rezistueshme:forca e tregut. Kjo gjë ka ndodhur gjithandej.

Brenda dy vjetësh, një librari historike, një bar i vjetër, një farmaci shumë tradicionale dhe një dyqan muzike u zhdukën nga një rrugë e bukur në qendër ku më pëlqente të shëtisja.

Dhe për t’i bërë vend çfarë? Për shumë dyqane të modës. Më besoni,nuk e gjej më veten atje. Kjo është arsyeja pse unë jam tërhequr, në një lloj kasolleje në Himalajet Indiane, para maleve më hyjnore në botë. Këtu kaloj orë të tëra në vetmi, duke i parë majat madhështore dhe të palëvizshme, që janë simbol i një stabiliteti të madh.

Natyra është një mësuese e shkëlqyer Oriana, dhe ju duhet të riktheheni herë pas here tek ajo për të marrë mësime. E mbyllur në kutinë e një apartamenti, brenda kutisë së një rrokaqielli, me rrokaqiejt e tjerë para tyre të mbushur me njerëz që jetojnë në kutiza të tjera të vogla, do të përfundosh duke u ndjerë vërtet e vetme.

Do ta ndjeni ekzistencën tuaj si një aksident, dhe jo si pjesë e një tërësie shumë më të madhe se të gjitha kullat para jush, dhe të atyre që nuk janë më atje. Shikoni një fije bari që lëkundet nga era, dhe ndihuni si ajo. Edhe zemërimi juaj do të kalojë. Të përshëndes, Oriana dhe të uroj me gjithë zemër të gjesh paqe. Sepse nëse ajo nuk është brenda nesh, nuk do të jetë asnjëherë askund tjetër”.

Ticiano Tercani, 8 Tetor 2001 / Sjellë në shqip nga bota.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *