KryesoreLajme

Murati i reagon Ramës: Rivalitetet brenda LDK-së po bllokojnë buxhetin e Prishtinës

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke thënë se zgjidhja për buxhetin e kryeqytetit është “shumë e thjeshtë”, por po bllokohet për interesa të brendshme partiake.

Murati tha se Përparim Rama mund ta zgjidhë menjëherë problemin duke i kërkuar liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që grupi parlamentar i partisë ta votojë buxhetin e Prishtinës në Kuvend.

“Zgjidhja është shumë e lehtë – le t’i kërkojë Lumir Abdixhikut ta votojnë në Kuvend, dhe buxheti i Prishtinës futet në Ligjin e Buxhetit 2025. Kaq e thjeshtë është,” tha Murati.

Lexo më shumë  Zohran Mamdani betohet si kryebashkiak i New York-ut: Nder dhe privilegj i madh

Ai sugjeroi se tensionet e brendshme në LDK po ndikojnë drejtpërdrejt në këtë refuzim, duke përmendur zërat e fundit që kërkojnë dorëheqjen e Abdixhikut dhe mundësinë që në krye të LDK-së të vijë pikërisht Përparim Rama.

“Shtimi i zërave se tash edhe Lumir Abdixhiku duhet të japë dorëheqje dhe në vend të tij të vijë Përparim Rama ka filluar të prodhojë efektet e para në LDK,” u shpreh ai.

Ministri kritikoi qëndrimin “kategorik” të LDK-së për të mos e miratuar buxhetin e Prishtinës, në një kohë kur, sipas tij, në komunë janë grumbulluar miliona euro fatura të papaguara për shkak të mungesës së buxhetit të miratuar, ndërsa ka mbetur më pak se një muaj deri në përfundim të vitit fiskal.

Lexo më shumë  “Njeriu i dronëve”, Mehaj: FSK-ja e përgatitur për çdo skenar sigurie

“Shumë keq që për shkak të rivalitetit të brendshëm në LDK, po e pësojnë qytetarët e Prishtinës,” tha Murati.

Në fund, ministri theksoi se bllokimi i buxhetit po shkakton pasoja të rënda financiare për kryeqytetin, duke i bërë thirrje LDK-së të ndryshojë qëndrim dhe t’i hapë rrugë miratimit të tij.

YouTube player