Ish i dërguari për dialogun Kosovë – Serbi, Lajçak komunikoi me pedofilin Epstein
Të mërkurën, Komiteti i Mbikëqyrjes i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së publikoi 20 mijë faqe dokumente, për të cilat thuhet se përmbajnë komunikime të financierit të ndjerë amerikan, Jeffrey Epstein, i cili ishte dënuar për shfrytëzim seksual të të miturve.
E përditshmja sllovake SME, e cila ka analizuar një pjesë të arkivit, raportoi se ka gjetur atë që duket të jetë korrespondencë direkte midis Epsteinit dhe diplomatit sllovak, Miroslav Lajçak nga viti 2018.
Në ditën e njëjtë, në rrjetet sociale u përhap një ‘screenshot’ që tregon një mesazh midis Steve Bannon, ish-strategut kryesor të Donald Trumpit dhe Epstein.
Në emailin e datës 15 mars 2018, Epstein e përmend “Miro Lajçak” dhe shënon se “po bie qeveria në Sllovaki”.
Koha përkon me ngjarjet kur presidenti sllovak, Andrej Kiska pranoi largimin e qeverisë së Robert Ficos pas protestave masive për vrasjen e gazetarëve Jan Kuciak dhe Martinas Kushnirova.
Asnjë nga këto korrespondenca nuk vërtetojnë se Lajçak ishte ftuar apo kishte marrë pjesë në ndonjë takim me Epsteinin ose Bannonin.

SMM gjithashtu ka gjetur një shkëmbim të dukshëm email-esh nga 24 mars 2018, ku Epstein i kishte dërguar Lajçakut një artikull nga “Daily Beast” të titulluar “Sa afër është Donald Trump kolapsit mendor?”
Përgjigjja që i atribuohet Lajçakut ishte “Faleminderit! Mendoj që kemi dëgjuar mjaft dëshmi sot në këtë temë”.
Edhe pse adresa e dërguesit është redaktuar, nënshkrimi tregon se bëhej fjalë për email zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Sllovakisë. Tonaliteti i shkëmbimeve ishte joformal dhe nuk përmbante referenca për ndonjë aktivitet kontestues apo të paligjshëm. Lajçak deri më tani nuk ka bërë deklaratë lidhur me publikimin e dokumenteve.
Epstein, i dënuar për veprime seksuale, i cili prej vitesh akuzohej për keqpërdorim të vajzave të mitura dhe për shitjen e tyre klientëve të pasur, u arrestua në korrik 2019 dhe vdiq pas një muaji në burgun e New Yorkut – vdekja e tij u cilësua zyrtarisht si vetëvrasje.
Miroslav Lajçak më 2 prill të vitit 2020 u emërua nga Këshilli i Bashkimit Evropian si Përfaqësues Special për Dialogun Kosovë-Prishtinë dhe u largua gjatë vitit të kaluar për tu zëvendësuar nga danezi, Peter Sorensen.
Rruga Press

