KryesoreLajme

Rama rrit fondet për ‘patronazhistët’ e administratës, ua heq shkollave dhe të varfërve

Qeveria Rama ka parashikuar një rritje të ndjeshme të shpenzimeve për administratën publike në projektbuxhetin e vitit 2026, ndërsa fondet për arsimin dhe mbrojtjen sociale pësojnë tkurrje.

Struktura e re e buxhetit tregon një zhvendosje të prioriteteve, ku “patronazhistët” e administratës duket se përfitojnë më shumë se sektori i arsimit apo shtresat në nevojë.

Sipas të dhënave të projektbuxhetit, fondi për shërbimet e përgjithshme publike – që përfshin administratën, menaxhimin e politikave dhe funksionet qendrore të qeverisë – do të arrijë në 68.5 miliardë lekë, duke zënë 7.7% të shpenzimeve totale, nga 7% që ishte një vit më parë. Rritje që reflekton shtimin e pagave dhe shpenzimeve operative në aparatin shtetëror.

Në të kundërt, arsimi dhe mbrojtja sociale – dy sektorë kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit – shënojnë ulje. Arsimi do të marrë 70 miliardë lekë ose 8% të buxhetit, nga 8.1% që kishte në vitin 2025, ndërsa mbrojtja sociale, që përfshin pensionet dhe ndihmën ekonomike, zbret në 27.3% të totalit, me një rënie prej 0.4 pikë përqindje.

Lexo më shumë  Kurti shkon në Dragash, viziton një projekt që ka vlerën e 1 milion eurove

Ndërkohë, fondet për rendi dhe sigurinë publike dhe mbrojtjen kombëtare shënojnë rritje. Mbrojtja arrin në 43 miliardë lekë, ose 4.9% të shpenzimeve, në përputhje me angazhimet ndaj NATO-s, ndërsa rendi dhe siguria publike do të marrin 55.8 miliardë lekë, duke u rritur në 6.3% të totalit.

Investimet për çështjet ekonomike – kryesisht infrastrukturë dhe zhvillim – mbeten të qëndrueshme në 9.4% të buxhetit, ndërsa shëndetësia ruan peshën prej 9.2%, pa ndryshim nga viti aktual.

Lexo më shumë  Ndërrimi i pushtetit në veri - Flamujt e fotografia e presidentes në sallat e kuvendeve

Nga ana tjetër, fushat që lidhen me mjedisin, kulturën dhe trashëgiminë mbeten tërësisht jashtë fokusit të qeverisë. Mbrojtja e mjedisit përfiton vetëm 0.2% të buxhetit total, një shumë simbolike krahasuar me mesataren evropiane, ndërsa kultura, argëtimi dhe çështjet fetare zënë vetëm 0.8%, shumë më poshtë standardeve të BE-së.

Në tërësi, projektbuxheti 2026 duket se vazhdon modelin e viteve të fundit – më shumë para për administratën qendrore dhe strukturat politike, më pak për arsimin, kulturën dhe mbrojtjen sociale. Një orientim që e çon edhe më tej “greminës” shtresën e varfër, atë të mesme dhe sistemin arsimor shqiptar. Ky është edhe prioriteti i kësaj qeverie mesa duket, e cila përsërit veten nga viti në vit në shpërndarjen e buxhetit.

Rruga Press

YouTube player