Lajme

Votat në Mitrovicë, kompania që i shtyp fletëvotimet: Përmbajnë elemente të shumta sigurie, falsifikimi ose kopjimi i tyre i pamundur

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të martën ka pranuar sqarim zyrtar lidhur me “gabimin e evidentuar” në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë dhe Gjakovë.

Sipas KQZ-së, në njoftim thuhet se pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania ka zhvilluar hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave.

Lexo më shumë  Ndërrimi i pushtetit në veri - Flamujt e fotografia e presidentes në sallat e kuvendeve

“Hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes”, thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se kompania sllovene CETIS ka theksuar se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim “teknik”, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre.

“Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”, thuhet më tej në kumtesë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se për këtë përgjigje është njoftuar Prokuroria e Shtetit.

Rruga Press

YouTube player