Kërcënimet globale – ShBA-ja do të përmirësojë mënyrën e blerjes së armëve dhe teknologjisë
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, do të prezantojë të premten ndryshime rrënjësore në mënyrën se si Pentagoni blen armë dhe teknologji, me synimin për t’i mundësuar ushtrisë amerikane një proces më të shpejtë dhe më efikas përballë kërcënimeve globale në rritje.
Sipas një draft-memorandumi të siguruar nga Reuters, Hegseth do t’u drejtohet udhëheqësve të industrisë së mbrojtjes, komandantëve ushtarakë dhe zyrtarëve qeveritarë gjatë një fjalimi në Kolegjin Kombëtar të Luftës. Ai pritet të detajojë planin për transformimin e Sistemit të Blerjeve të Mbrojtjes, në përputhje me një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti Donald Trump në muajin prill.
Reformat synojnë të adresojnë atë që zyrtarët e Pentagonit e kanë quajtur një proces “të papranueshëm të ngadaltë” të prokurimeve, i cili shpesh është penguar nga burokracia, mungesa e koordinimit dhe stimujt e keqorganizuar. Këto probleme, sipas tyre, kanë ndikuar drejtpërdrejt në aftësinë e ushtrisë për të adoptuar në kohë teknologjitë më të avancuara.
Në ngjarje pritet të marrin pjesë gjigantët tradicionalë të industrisë së mbrojtjes, përfshirë Lockheed Martin (LMT.N) dhe RTX (RTX.N), si dhe kompani më të reja që po fitojnë terren në sektor, si Palantir Technologies (PLTR.O), Ursa Major Technologies, Saronic – prodhues i dronëve detarë, dhe Epirus, e specializuar në luftë elektronike.
Një nga risitë kryesore të planit është krijimi i Ekzekutivëve të Blerjes së Portofolit, të cilët do të kenë autoritet të drejtpërdrejtë mbi programet kryesore të armëve. Ky ndryshim synon të shkurtojë zinxhirin e vendimmarrjes duke eliminuar shtresat e panevojshme burokratike. Sipas reformës, menaxherët e programeve do të raportojnë drejtpërdrejt te këta ekzekutivë dhe më pas te udhëheqësit e blerjeve të degëve të shërbimeve ushtarake.
Rruga Press

