Shpend Istogu, e di se ti nuk e ke zgjedhur babanë tënd, mirëpo, duke ia bërë avokatin një prindi të tillë, po njëjzohesh me të dhe kështu po i merr mbi vete barrë të liga
Shkruan Frashër Oseku
Ndihem i fyer në sedër kur e shoh se si edhe sot po akuzohen ish-të burgosurit politikë në Prokurorinë Speciale të Kosovës për shkak se gjoja, po i njolloskan udbashët që i shërbyen okupatorit të urryer serb!
Jam i biri i një ish-të burgosuri politik, luftëtar i dy luftrave, të Koshares dhe asaj të Iliridës, invalid i luftës së UÇK-së. Si i tillë, me neveri dhe pezëm e lexova në internet se si Shpend Istogu e paska paditur Enver Dugollin. E pse? Se ky i fundit ka rrëfyer në TV të Ermal Pandurit për torturologun e njohur në mbarë Kosovën, Ajet Istogun, të jatin e Shpendit!
Shpend Istogu, e di se ti nuk e ke zgjedhur babanë tënd. Mirëpo, duke ia bërë avokatin një prindi të tillë, po njëjzohesh me të dhe kështu po i merr mbi vete barrë të liga. Po ta rikujtoj: mbi 7500 mijë patriotë shqiptarë të Kosovës me vise, para dhe pas vitit 1981 e deri më 1990, iu kanë nënshtruar torturava më çnjerëzore të udbashëve. Njerëz si yt at, për një rrogë qençe, e masakruan lulen e rinisë shqiptare, veç pse kërkuan Kosovën Republikë. A e kupton se ti, me padinë tënde, tregon se s’e ke as empatinë më të vogël ndaj tyre?
Qofsha i gabuar, por gjykoj se ti sot je rreshtuar gabim, në anën e atyre të cilët ishin kundër lirisë së Kosovës. Këto ditë e lexova një rrëfim tronditës të ish të burgosurit politik, Meriman Braha, të cilën po e parafrazoj.
Pas torturave makabre të udbashëve ndaj tij, deri në breg të vdekjes, një gardian serb i burgut i thotë:
– Edhe nëse e fitoni lirinë, gjë që unë s’e besoj kurrë. Prapë, ti e shokët tu s’do ta gëzoni. E para, pse bashkatdhetarët tuaj do të kenë xhelozi ndaj jush. E dyta, pse ne dhe Shërbimet Sekrete të Serbisë prore do të ju atakojmë, që ju të mos shihni dritë me sy!
Shpend Istogu, ti mbase s’e ke ditur në hollësi këtë kërcënim vrastar serb. Mundet që kësaj radhe, padashur, të jesh rreshtuar në anēn e gabuar të historisë. Me babanë tënd, por kundër Pavarësisë së Kosovës!
Profecia e gardianit të Meriman Brahës, është nëma më e zezë për këtë Kosovë të shkërmoqur nga lugetër të Serbisë. Mos u bën pjesë e saj, mor Shpend!
Po ta rikujtoj poezinë e shkruar nga poeti tashmë i ndjerë, Ali Podrimja, në fillim të viteve të ’60-ta, vargun proverbial nga mesnata e robërisë serbe: Kosova është gjaku ynë që nuk falet!
E pra, ne kemi falur gjaqet tona për Kosovë. Por nuk duam ta heshtim historinë tonë. Historia që harrohet, përsëritet. E nëse ti kujton se na e mbyllë gojën me gjykata, të del dardhë me bisht. Krimet ndaj nesh dhe familjeve tona kanë qenë krime kundër njerëzimit; ato nuk parashkruhen kurrë. Vetëm kaq di të them: ka gjykatë edhe për babain tënd e për shokët e tij!
Rruga Press

