Kurti: Kur pjesa më e madhe e botës përballet me rënie të sundimit të ligjit, Kosova vazhdon të jetë ndër vendet e pakta që shënon përmirësim të rezultatit
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar përmirësim në Indeksin e Sundimit të Ligjit për vitin 2025 të Projektit të Drejtësisë Botërore (World Justice Project).
“Sipas këtij raporti, pjesa më e madhe e botës po përballet me një rënie të sundimit të ligjit, ndërsa Kosova vazhdon të jetë ndër vendet e pakta që shënon përmirësim të rezultatit të sundimit të ligjit”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se “këtë vit, vendi ynë renditet i 3-ti në rajon, në mesin e 15 vendeve të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore; dhe i 2-ti në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6), duke vënë kështu në pah progresin tonë të qëndrueshëm gjatë pesë viteve të fundit.”
Sipas Kurtit, në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, “Kosova kryeson në katër fusha kryesore: kufizime në pushtetin qeveritar, rend dhe siguri, mungesa e korrupsionit dhe qeverisje e hapur.”
“Rezultatet na tregojnë se po ecim në drejtimin e duhur – teksa mbetemi të përkushtuar për të bërë më shumë, veçanërisht në forcimin e sektorit tonë të drejtësisë, si një nga prioritetet tona kryesore për mandatin e ardhshëm”, ka përfunduar kryeministri Kurti.
Rruga Press

