Norvegjia konfirmon testimin e raketës së re bërthamore ‘Burevestnik’ nga Rusia në Detin Barents
Shërbimi i inteligjencës ushtarake të Norvegjisë njoftoi sot se testi i raketës së re lundruese me shtytje bërthamore dhe me rreze të gjatë veprimi, Burevestnik, i zhvilluar nga Rusia javën e kaluar, është kryer nga arkipelagu Novaya Zemlya në detin Barents.
Sipas informacioneve të publikuara nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rusisë, Valeri Gerasimov, në një raportim për presidentin Vladimir Putin, raketa përshkoi një distancë prej 14.000 kilometrash dhe qëndroi në ajër për rreth 15 orë.
Putin ka deklaruar më herët se raketa 9M730 Burevestnik është “e padukshme” për sistemet aktuale dhe të ardhshme të mbrojtjes raketore, me një rreze thuajse të pakufizuar dhe me trajektore të paparashikueshme fluturimi.
Rraketa e re, e pajisur me shtytje bërthamore, mund të mbajë edhe koka luftarake bërthamore.
Në deklaratat e dhëna dje, Putin, i veshur me uniformë kamuflazhi, i tha Gerasimovit se testimet vendimtare të sistemit Burevestnik janë përfunduar dhe se së shpejti do të nisin punimet për fazën përfundimtare, përpara se raketat të futen në përdorim operacional.
Rruga Press

