KryesoreLajme

Murati i përgjigjet Përparim Ramës: Dështimi total në qeverisje nuk mbulohet me arsyetime të pavërteta

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka reaguar ndaj akuzave të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili fajësoi Qeverinë për bllokimin e buxhetit të komunës dhe vonesat në realizimin e projekteve.

Murati e ka cilësuar këtë si një tentativë për të fshehur dështimin në menaxhimin e ndërmarrjeve publike komunale.

Në një postim në rrjetet sociale, Murati ka theksuar se ndërmarrjet publike komunale janë nën menaxhimin e komunës dhe Qeveria qendrore nuk ka kompetenca në to.

“Dështimi total në qeverisje nuk mbulohet me arsyetime të pavërteta, Përparim. Ndërmarrjet publike komunale janë nën menaxhimin e komunës dhe qeveria qendrore s’ka asnjë kompetencë tek to”, ka shkruar Murati.

Lexo më shumë  FBI përforcon provat për përfshirjen e Serbisë në sulmin në Ibër Lepenc

Ai ka akuzuar Ramën për keqmenaxhim dhe mbipunësim, që sipas tij, kanë çuar në kolapsin financiar të shumicës së këtyre ndërmarrjeve. Murati ka shtuar se kjo ka ndikuar negativisht në implementimin e projekteve financuar nga partnerët ndërkombëtarë.

“Shumica e ndërmarrjeve publike në Komunën e Prishtinës aktualisht gjenden para kolapsit financiar për shkak të keqmenaxhimit e mbipunësimit që ka bërë qeverisja e Përparim Ramës. Kjo është arsyeja kryesore. Gjithçka tjetër është broçkulla”, u shpreh ministri në detyrë.

Sa i përket buxhetit, Murati ka sqaruar se Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë projekt-buxhetin brenda afatit ligjor, duke e kaluar atë vetëm më 9 dhjetor, shumë pas afateve të përcaktuara.

Lexo më shumë  Osmani: Urgjencë kombëtare, dokumentimi i krimeve të kryera gjatës luftës në Kosovë

Ai ka theksuar se Qeveria nuk ka bllokuar buxhetin, por është përgjegjësia e komunës që të sigurojë miratimin e tij në kohë.

“Kurse sa i përket buxhetit, tashmë disa herë e kam sqaruar për publikun se qeveria qendrore nuk ka bllokuar e as që mund të bllokojë buxhetin e ndonjë komune. Komuna e Prishtinës e ka bllokuar vetveten duke mos e kaluar projekt-buxhetin brenda afatit ligjor. Këtë e di mirë edhe Përparim Rama, por që i përballur me dështimet gjithandej pas 4 viteve keqqeverisje, mendon se mund t’i mashtrojë votuesit duke hedhur fajin tjetër kund”, ka shtuar tutje Murati.

YouTube player