Bota

Të shtëna, zjarr dhe panik në kampin proqeveritar në mes të Beogradit: Një i plagosur dhe një tjetër i arrestuar – tensionet politike shpërthejnë në rrugë

Beogradi u trondit të mërkurën paradite nga të shtëna armësh dhe një zjarr i madh që përfshiu tendat e një kampi proqeveritar, ngritur prej muajsh përpara ndërtesës së Parlamentit. Incidenti, që ndodhi rreth orës 11:20 sipas orës lokale, përfundoi me një të plagosur dhe arrestimin e një personi të armatosur, ndërsa qyteti ra përkohësisht në panik.

Policia konfirmoi se i dyshuari, identifikuar vetëm me inicialet V.A., u kap në vendngjarje me një pistoletë dhe materiale ndezëse. Sipas Ministrit të Shëndetësisë Zlatibor Lončar, i plagosuri 57-vjeçar ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas të shtënave, një zjarr i fuqishëm shpërtheu në tendat e kampit, ndërsa dëshmitarë nga vendngjarja thanë se forcat e sigurisë fillimisht ndaluan hyrje-daljet për shkak të dyshimeve për lëndë shpërthyese. “Kur dolëm përpara Parlamentit, flakët ishin përhapur shpejt. Policia s’na lejoi të largohemi sepse dyshonin se mund të kishte municione brenda,” deklaroi deputeti Bogdan Radovanoviç.

Sipas raporteve fillestare, i dyshuari ka pohuar se e kreu sulmin për të provokuar reagimin e policisë, duke shprehur zemërim ndaj protestuesve në kamp. Autoritetet e kanë cilësuar rastin si “tentativë vrasjeje” dhe “rrezik publik”, ndërsa hetimet po udhëhiqen nga prokuroria e Beogradit.

Lexo më shumë  Ja si i torturojnë brutalisht komandantët e Putinit 'dezertorët' gjysmë të zhveshur

Ngjarja ka ndezur menjëherë debatin politik në vend. Deputetja opozitare Marinika Tepiq kërkoi evakuimin e Parlamentit, duke akuzuar qeverinë për mungesë reagimi ndaj një situate që ajo e quajti “simptomë e rrezikshme e tensioneve të thella që po shpërthejnë në zemër të shtetit”. Ndërsa seanca parlamentare vazhdoi, reagimet në rrjetet sociale shpërthyen.

Basketbollisti i njohur Vladimir Štimac publikoi një reagim të ashpër, duke pretenduar se kampi ku ndodhi incidenti ishte “i mbushur me municione dhe armë të lejuara nga strukturat politike”. “Ata krijuan këtë situatë – tani shohim pasojat,” shkroi ai.

Lexo më shumë  Kallas: Do të vendosim Rusinë në listën e zezë të pastrimit të parave

Burime nga opozita pohojnë se numri i të plagosurve dhe të ndaluarve mund të jetë më i madh se ai që është bërë publik, ndërsa qytetarët raportuan për tensione të larta në zonën qendrore për disa orë.

Kampi që u përfshi nga zjarri kishte muaj që shërbente si simbol i ndarjeve politike që kanë polarizuar Serbinë. Ngjarja e sotme, me të shtëna në zemër të Beogradit dhe në afërsi të institucioneve shtetërore, shihet si shenjë alarmante e krizës politike që po thellohet. Në një vend ku protesta, kampet e mbështetjes dhe kundër-demonstratat janë bërë pjesë e përditshmërisë, kufiri mes shprehjes politike dhe dhunës po bëhet gjithnjë e më i paqartë.

YouTube player