“Kosovarja” e Afrim Hajrullahut – Rrëfimi për gratë që mbajtën mbi supe historinë e Kosovës
Ekspozita fotografike “Kosovarja” e artistit Afrim Hajrullahu është hapur në Kino Armata në Prishtinë, duke sjellë para publikut një rrëfim të fuqishëm vizual përmes figurës së gruas së Kosovës gjatë viteve ’90 – periudhë e sakrificës, rezistencës dhe qëndresës kombëtare.
Ministri i Kulturës së Kosovës, Hajrulla Çeku, vlerësoi këtë cikël fotografish si një dëshmi të qëndresës së popullit të Kosovës, të shpalosur përmes figurës së gruas.
“Afrim Hajrullahu, me veprat e tij të mbledhura në ciklin ‘Kosovarja’, mbrëmë na shfaqi historinë e vendit tonë përmes objektivit të tij. Ai ka fotografuar gratë e Kosovës në vitet e 90-ta, gratë që kanë qenë pjesë e çdo etape, sakrifice dhe arritjeje të historisë sonë,” tha Çeku, duke e cilësuar këtë ekspozitë si një testament të fuqishëm të artit dhe të së vërtetës historike.
Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për ruajtjen e kujtesës kolektive.
“Ekspozita ‘Kosovarja’ është ekspozitë mbi rrëfimin e grave dhe vajzave që kanë mbajtur mbi supe historinë tonë. Fotografitë e viteve ‘90 që na flasin për dhembjen e dinjitetin e qëndresës,” u shpreh Kurti, duke ftuar qytetarët ta vizitojnë ekspozitën dhe duke premtuar se mbështetja për ngjarje të tilla do të vazhdojë.
Ekspozita “Kosovarja” do të jetë e hapur për publikun në Kino Armata nga ora 19:00 deri në orë 23:00 deri në dhe pritet të tërheqë interesim të gjerë nga publiku, artistët, studiuesit e historisë dhe kulturës shqiptare.
Rruga Press

