Ministri polak ekspozon dronin iranian “Shahed” në Parlamentin britanik
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, ka sjellë në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar një dron iranian të tipit Shahed-136, të cilin Rusia e përdor në luftën kundër Ukrainës, për ta treguar si simbol të terrorit që Kremlini po ushtron mbi popullin ukrainas.
Droni u paraqit gjatë një aktiviteti të organizuar nga nisma “United Against Nuclear Iran” (UANI), ku Sikorski foli për kërcënimin që paraqet bashkëpunimi ushtarak midis Moskës dhe Teheranit.
“Sot në Parlamentin britanik prezantova dronin iranian Shahed-136, të cilin Rusia e përdor për të sulmuar Ukrainën. Ky mjet nuk mund të arrijë deri në Londër, por një flotë metalike e të tillë mund të shkatërrojë infrastrukturën kritike. Vetëm së bashku mund të fitojmë,” tha Sikorski, duke i bërë thirrje vendeve perëndimore për unitet dhe qëndrueshmëri ndaj agresionit rus.

Shefi i diplomacisë polake theksoi se Kremlini përdor dronët iranianë jo vetëm për të goditur objektiva civile dhe energjetike në Ukrainë, por edhe për të provokuar shkelje të hapësirës ajrore të Polonisë, duke krijuar rrezik direkt për sigurinë e NATO-s.
Sikorski kujtoi gjithashtu se në shkurt të këtij viti kishte marrë pjesë në Conservative Political Action Conference (CPAC) në SHBA, ku kishte paraqitur një tjetër dron Shahed të rrëzuar nga forcat ukrainase, për të treguar shkallën e bashkëpunimit ushtarak midis Iranit dhe Rusisë.
Pas incidenteve të shumta me fluturime të dronëve rusë në afërsi të kufirit polak, Varshava ka nisur diskutimet për ngritjen e një “muri ajror me dronë” përgjatë kufirit lindor të Bashkimit Europian, që do të shërbente si sistem paralajmërimi dhe mbrojtjeje nga objektet fluturuese ruse. Sikorski ka shprehur mbështetje të plotë për këtë ide, duke e quajtur atë “një hap strategjik për sigurinë e Europës Lindore”.
Rruga Press

