Sali Zyba reagon për aferën në AKI: Nuk është thjesht skandal, por cenim i rëndë i sigurisë së Republikës së Kosovës
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me lajmin e publikuar nga mediumi Kallxo.com, në të cilin thuhet se Prokuroria Speciale i ka mbyllur hetimet për një ndër aferat më të mëdha të AKI-së, që përfshinte edhe dyshime për përfshirjen e një agjenti të Serbisë.
Në reagimin e tij, Zyba shkruan:
“Dje në mediumin Kallxo u publikua lajmi se Prokuroria Speciale kishte mbyllë hetimet në lidhje me njërën prej aferave më të mëdha në AKI.
Aty përmendëshin disa ish-drejtorë të AKI-së e aty edhe agjenti i Serbisë Fatmir Sheholli, që kishte pranuar, siç thuhej, 500 mijë euro.
Pra, AKI, agjenti i Serbisë dhe të gjitha këto në kontekst të zhvillimeve të asokohshme politike të shkëmbimit territorial apo praktikisht ndarjes së Kosovës.
Dhe, sot në asnjë debat e diskutim publik nuk e gjen këtë që nuk është thjesht skandal, por një cenim i rëndë i sigurisë së Republikës së Kosovës.”, ka thënë Zyba.
Zyba ngre shqetësimin se kjo çështje po kalon në heshtje dhe se mungesa e reagimit publik e institucional për një temë kaq të ndjeshme përbën rrezik për rendin demokratik dhe sigurinë kombëtare të vendit.
Rruga Press

