Lajme

Telekomi i Kosovës akuzon Kushtetuesen për rastin e “Dardafonit”: E vulosi një padrejtësi të strukturuar

Telekomi i Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ia shpalli të papranueshme ankesën ndaj vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit për kontratën me kompaninë “Dardafon” të lidhur në vitin 2009.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin KI107/25 (i pranuar nga Telekomi i Kosovës ShA., më datë 06.10.2025) nuk është thjesht një akt juridik i papranueshmërisë formale. Ai është një vulë e heshtur mbi një padrejtësi të strukturuar, që e liron nga përgjegjësia një skemë të dyshuar të krimit ekonomik, e cila e mbështetur nga politika, ka rezultuar me plaçkitjen e mbi 160 milionë eurove nga pasuria publike e Telekomit të Kosovës, përmes një kontrate të dëmshme të lidhur me kompaninë Dardafon.net, në vitin 2009”, thuhet në reagimin e Telekomit.

Lexo më shumë  Ministria e Drejtësisë demanton mediat për arrestimin e avokates shtetërore

Në reagim, Tlelekomi e ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese duke thënë se ka zgjedhur të mbyllë sytë para një çështjeje që prek themelet e besimit publik në drejtësi.

“Në vend që të trajtoj me seriozitet pretendimet e paraqitura pranë Gjykatës Kushtetuese për shkelje të të drejtave kushtetuese, për mungesë të arsyetimit gjyqësor, për divergjencë të praktikës gjyqësore, për të drejtën e një gjykimi të drejtë e të paanshëm, si dhe për të drejtën e barazisë para ligjit, Gjykata Kushtetuese ka zgjedhur (vendosur) të mbyllë sytë para një çështjeje që prek themelet e besimit publik në drejtësi”.

Gjykata Kushtetuese në njoftimin e saj për vendimin ka thënë se më 16 maj 2022, Telekomi ka parashtruar padi në Gjykatën Komerciale të Kosovës për anulimin e një vendimi të Tribunalit të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, me arsyetimin se ishte në kundërshtim me rendin publik.

Lexo më shumë  Kryebashkiaku i Shkodrës lë pas dy orësh ambientet e SPAK-ut. Benet Beci, zyrtarisht i pandehur për tenderat e energjisë

Në njoftim thuhet se Dhoma e Shkallës së Parë hodhi poshtë padinë më 27 mars 2024, duke konstatuar se nuk ka kompetencë për të shqyrtuar anulimin e një vendimi të huaj të arbitrazhit, pasi një kompetencë e tillë i takon vetëm gjykatave të vendit ku ndodhet selia e arbitrazhit (Angli dhe Uells në këtë rast). Ajo tha se në Kosovë gjykatat vetëm njohin dhe ekzekutojnë vendime të huaja të arbitrazhit, por nuk i anulojnë ato. Ankesa në Shkallën e Dytë dhe revizioni në Gjykatën Supreme thuhet se u refuzuan si të pabazuara.

Rruga Press

YouTube player