BIRN: Si u bë Shqipëria nyje e kontrabandës së naftës nga Rusia dhe Afrika Veriore
Nga Tunizia dhe Libia deri në Durrës, hetimet hedhin dritë mbi rrjetet e kontrabandës në detin Mesdhe, të cilat përdorin anije të regjistruara ‘offshore’ dhe peshkarexha vendase për të futur në treg karburant pa akcizë ose me origjinë nga vende nën embargo.
Në ditët e para të janarit, era e ftohtë nga veriu përplaste dallgët në molin e Porto Romanos, në veri të Durrësit, ndërsa dy anije tregtare hynin njëra pas tjetrës në port. E para, e quajtur Besart, një anije mallrash e vitit 1981, udhëhiqte kolonën; pas saj, Aya Zanoubya, 4 vjet më e vjetër, lëvizte ngadalë, e rimorkuar pasi kishte deklaruar një defekt teknik.
Tre javë më herët, më 14 dhjetor, Aya Zanoubya ishte ankoruar në të njëjtin port, duke përdorur të njëjtën arsye – një avari që, sipas dokumenteve të dorëzuara në Kapitenerinë e Durrësit, e kishte detyruar të kërkonte strehë të sigurt në brigjet shqiptare. Kargo manifesti i saj deklaronte një ngarkesë çimentoje.
Por më 15 janar, autoritet shqiptare kishin marrë të dhëna operative se të dyja anijet fshihnin naftë kontrabandë. Kontrollet e kryera nga Seksioni i Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë në Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antikontrabandës në Tiranë, i kthyen dyshimet në prova. Në vend të ujit, balestrat e tyre ishin mbushur me rreth 600 mijë litra naftë të padeklaruar.
Anëtarët e ekuipazhit, kryesisht të huaj, përfunduan në pranga. Ndërkohë, organizatorët e dyshuar të kontrabandës, mes tyre dhe një emër i njohur në tregtinë e hidrokarbureve në Durrës, u shpall në kërkim. Ky nuk është rasti i parë që sasi të mëdha të naftës kontrabandë bllokohen në portin e karburanteve në Porto Romano.
Të dhënat hetimore të siguruara nga BIRN tregojnë se ky port është kthyer gjatë dekadës së fundit në një pikë kalimi për naftën që vjen nga vende nën embargo nga OKB-ja, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Një nga vendet kryesore të origjinës është, sigurisht, Rusia,” i tha BIRN Lorenzo Bagnoli, drejtues i qendrës hulumtuese italiane IRPI, i cili e ka hetuar kontrabandën e naftës në Mesdhe që prej vitit 2017. “Tjetri është Libia, por një e treta e këtij karburanti është gjithmonë rus,” shtoi ai.
Çimento në letra, naftë në balestra
Nga fotot e publikuara në internet, anija Besart e tregon lehtë moshën. Ngjyra blu është e gërryer nga kripa dhe koha, ndërsa njolla ndryshku të mëdha e mbulojnë përgjatë bordit. Aya Zanoubya ka të njëjtën pamje të amortizuar të një anijeje të dekadave më parë.
Të dyja valëvitin flamurin e Tanzanisë, një shtet afrikan i njohur për regjistrin e tij të hapur detar, ku pronarët ose kompanitë mund të regjistrojnë anije pa qenë rezidentë – një praktikë që shpesh shfrytëzohet për të fshehur pronësinë.
Dokumentet hetimore të analizuara nga BIRN tregojnë se, megjithëse në pamje të parë dukeshin anije me menaxhim të pavarur, ato kishin një pikë të përbashkët – kompaninë ‘Batimarine Owner Ship’ me seli në Durrës, e cila rezultonte ligjërisht si përgjegjëse për të dyja.
Kapiteni i anijes Besart, Mohammed Kahilah tha për hetuesit se udhëtimi i tyre kishte nisur për të transportuar çimento nga Tunizia. Por në dëshminë e tij, ai pranoi se anijen e kishte furnizuar edhe me qindra mijëra litra naftë. Në portin tunizian kishin mbërritur më 19 dhjetor 2024 dhe kishin qëndruar deri më 1 janar 2025.
Kahilah deklaroi se kishte marrë rreth 406 mijë litra naftë, me urdhër të administratorit të anijes, Eduart Skora, i cili i kishte thënë se karburanti nevojitej për tërheqjen e një anijeje tjetër që do të shitej në Tunizi. Kapiteni ka shtuar se naftën e kishte depozituar në balestra, zakonisht të destinuara për ujë balancues, pasi ato ishin bosh dhe ngarkesa prej 100 tonësh çimento e mbante tashmë anijen të stabilizuar.
Skora u arrestua me 26 janar në pikën kufitare në Morinës, ndërsa po hynte në Shqipëri nga Kosova. I pyetur si person nën hetim, ai deklaroi se ishte menaxher i anijes Besart, përgjegjës për mbikëqyrjen teknike dhe gjetjen e ngarkesave. Skora shpjegoi se anija kishte sjellë nga Tunizia çimento rifuxho, ndërsa nafta e gjetur në balestra ishte, sipas tij, pasojë e amortizimit të tubacioneve që kishin lejuar përzierjen e ujit me karburant me përmbajtje të lartë squfuri.
Skora pretendoi se sasia e madhe e naftës në bord shpjegohej nga fakti që anija kishte të planifikuar një udhëtim në Tanzani që do të zgjaste 98 ditë, përfshirë kalimin në zona me rrezik piraterie. Ai theksoi se e mbante vetë përgjegjësinë ligjore për anijen, ndërsa kompania “Batimarine Owner Ship” dhe pronari Florian Biba ishin të përjashtuar nga çdo përgjegjësi me kontratë.
Skora është aksioner në dy agjenci detare dhe spedicioni në qytetin e Durrësit. Në vitin 2017, një anije në pronësi të tij, Envi 1, u bllokua së bashku me ekuipazhin në Libi dhe u mbajt peng nga një grup i armatosur për 35 ditë. Sipas Skorës, anija dhe ekuipazhi, u liruan nga rebelët kundrejt një pagese prej 34 mijë USD.
Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, aksioneri i vetëm i kompanisë ‘Batimarine Owner Ship’ shpk është Florian Biba, një shtetas zvicerian me origjinë shqiptare. Biba nuk ishte i arritshëm nëpërmjet telefonit. Kërkesa për koment e dërguar nëpërmjet email-it të listuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
Sipas agjentit doganor, i cili përfaqëson anijet ose pronarët e tyre pranë autoriteteve dhe shërbimeve portuale, për shërbimet e Aya Zanoubya në Shqipëri komunikimi bëhej po ashtu me kompaninë ‘Batimarine Owner Ship’, por pagesat bëshin nga shtetasi Juxhin Koka, një biznesmen në tregun e hidrokarbureve.
Prokuroria e Durrësit thotë se ka dyshime se Juxhin Koka, së bashku me shtetasin Serxhio Sula – të dy aktualisht në kërkim, kanë blerë anijen Aya Zanoubya përmes një kompanie offshore dhe janë organizatorët e futjes në Shqipëri të sasie të naftës kontrabandë prej 200 mijë litrash.
Ndërsa anija qëndronte e sekuestruar në port, Koka dyshohet gjithashtu se orkestroi vjedhjen e karburantit dhe futjen e tij të paligjshëm në treg, duke korruptuar me 10 mijë euro policin që ishte caktuar për ta ruajtur.
I marrë në pyetje para se të shpallej në kërkim, Koka ka pretenduar se me anijen kishte sjellë vetëm çimento në Shqipëri, duke mohuar akuzat se kishte kontrabanduar karburant të fshehur në balestrat e anijes.
Një zyrtar i policisë në Durrës, i cili preferoi të mbetet anonim, i tha BIRN se në rastet kur tentohet kontrabanda me karburant gazoil, personat përgjegjës përdorin dokumente të falsifikuara.
“Ata përpiqen t’ua ‘hedhin’ autoriteteve shqiptare, duke deklaruar se përmes agjencive doganore kanë marrë porosi për tregtimin e naftës, por në të vërtetë dokumentacioni është i falsifikuar,” tha ai, ndërsa shtoi se organizatorët gjejnë edhe forma të tjera për të ankoruar anijet në port pa rënë në sy dhe më pas nxjerrin naftën me mjete të tjera.
“Kjo sigurisht nuk bëhet pa korruptuar zyrtarë,” shtoi oficeri i policisë.
E pyetur nga BIRN mbi raste e regjistruara të kontrabandës së naftës nga Porto Romano dhe dyshimet për korrupsion, Policia e Shtetit nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Nga Benghazi në Durrës
Më 14 shtator 2022, autoritetet shqiptare sekuestruan anijen “Queen Majeda”, e cila transportonte rreth 2272 ton naftë kontrabandë. Sipas dokumenteve hetimore, anija ishte nisur nga porti i Bengazit në Libi dhe kishte si destinacion Porto Romanon, ku ngarkesa do të përpunohej.
Megjithatë, pasi hyri në ujërat shqiptare, kapiteni tentoi të largohej pa u ankoruar, ndonëse kompania GK Maritime, e përfaqësuar nga shtetasi Erlis Kosova, kishte njoftuar më herët autoritetet se ngarkesa e karburantit do t’i shitej kompanisë shqiptare “Kastrati Sh.a”, pjesë e Kastrati Grup, i cili zotëron dhe portin e hidrokarbureve në Porto Romano.
Nga kontrolli i plotë i dokumenteve dhe ngarkesës, Prokuroria zbuloi se manifesti deklaronte 2.272,71 ton naftë të tipit “Marine Gasoil 1000 PPM”, një produkt i cili nuk lejohet për përdorim në tregun shqiptar, por vetëm për ri-eksportim ose furnizim të mjeteve lundruese jashtë territorit.
Kapiteni i anijes u shpreh para hetuesve se ishte hera e tretë që transportonte karburant nga Benghazi drejt Porto Romanos dhe se nafta ishte furnizuar nga kompania libiane Brega, e specializuar në shitjen me shumicë të karburanteve. Anija zotërohej nga kompania Eldawadi Shipping Ltd., në pronësi të shtetasit libian Nuri Eldawadi.
E pyetur nga nga BIRN, një zëdhënëse e Kastrati Group tha se Kastrati Energy Trading sh.a nuk ka qenë palë kontraktuese për blerjen e ngarkesës së naftës së transportuar nga anija “Queen Majida” në Shtator 2022.
Rruga Press

