Hajrulla Çeku: Fshatrat e Prishtinës do të kenë investime të reja për mirëqenie dhe infrastrukturë
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka prezantuar planin e tij për zhvillimin e fshatrave të kryeqytetit, pas një vizite që zhvilloi së bashku me ministrin Ejup Maqedonci dhe kandidatët për Kuvendin e Komunës në zonën e Llapit.
Ai tha se dëgjoi nga afër kërkesat e banorëve të fshatrave dhe se ato do të përkthehen në projekte konkrete dhe investime që synojnë përmirësimin e mirëqenies.
Në fshatin Besi, Çeku u zotua për përfundimin dhe zgjerimin e rrugëve, ndërtimin e trotuareve, park rekreativ-sportiv dhe qendër multifunksionale për komunitetin.
Në Prugoc, prioritet mbetet rehabilitimi i shtratit të lumit Llap, ndërtimi i çerdhes dhe përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm.
Në Barilevë, programi përfshin ndërtimin e çerdhes, rinovimin e stadiumit të futbollit, shtrirjen e ujësjellësit dhe mbrojtjen e varrezave.
Për Rimanishtën, ai premtoi asfaltim rrugësh, kanalizim dhe lidhje me rrjetin e ujësjellësit.
Ndërkohë në Vranidoll, Çeku paralajmëroi ndërtimin e një çerdheje të përbashkët me fshatrat përreth, hapësira loje për fëmijët dhe masa për mbrojtjen e tokave bujqësore nga vërshimet.
Në Teneshdoll, plani përfshin përfundimin e rrugicave, trajtimin e kanalizimit dhe ndërtimin e një çerdheje të përbashkët.
“Lagje për lagje e fshat për fshat, kërkesat dhe nevojat e banorëve do të bëhen buxhet për komunën”, u shpreh kandidati Çeku.

