Lajme

Murati: Ekonomia vazhdon të rritet, faktet po demantojnë pretendimet opozitare

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ekonomia e Kosovës vazhdon të shënojë rritje, duke demantuar pretendimet opozitar se ka rënie.

Murati ka përmendur të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të publikuara dje, ku Bruto Produkti Vendor (BPV) për tremujorin e dytë të vitit 2025 shënoi një rritje prej 4,58%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024, që ishte 4,32%, duke treguar përshpejtim të rritjes ekonomike.

Sipas ASK-së, rritje në këtë tremujor kanë shënuar disa aktivitete ekonomike, duke përfshirë ndërtimtari (4,15%), aktivitetet financiare dhe të sigurimit (8,79%), aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike, si dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse (4,27%), industria përpunuese (3,34%), administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet sociale (0,99%), tregtia me shumicë dhe pakicë, transporti dhe akomodimi (3,62%), arti dhe argëtimi (2,83%), informacioni dhe komunikimi (2,38%), bujqësia, pyjet dhe peshkimi (2,98%), dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme (0,44%).

Lexo më shumë  Politikani serb Dragan Shormaz: “NIS”-i për Rusinë është instrument destabilizimi në Evropë dhe platformë inteligjence

Ndërkaq, rënie është regjistruar në disa sektorë si industria nxjerrëse, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër, furnizimi me ujë, si dhe menaxhimi i mbeturinave dhe rehabilitimi, me një ulje prej 6,79%.

Murati ka theksuar se këto shifra tregojnë përshpejtim të rritjes ekonomike dhe janë tregues i qartë se ekonomia po ecën përpara, duke demantuar pretendimet opozitare mbi gjendjen e saj.

Lexo më shumë  Fabrika e parë e municioneve në Kosovë po vlerësohet si hap drejt forcimit të sigurisë

“Edhe kësaj radhe, faktet dhe shifrat demantojnë pretendimet opozitare për kahjen ekonomike të vendit”, ka shkruar ai në një postim në rrjetet sociale, duke e cilësuar si “një lajm të mirë për fundjavë”.

Rruga Press

YouTube player