Lansohet Platforma e BQK-së për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare: Më shumë transparencë dhe fuqi vendimmarrëse për qytetarët e Kosovës
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) me qëllim të përmbushjes së vizionit për rritjen e transparencës, gjithë-përfshirjes financiare dhe fuqizimit të qytetarëve në marrjen e vendimeve të informuara financiare, ka lansuar zyrtarisht në një ceremoni Platformën për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare.
Sipas një njoftimi për media bGuvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, në ceremoninë e lansimit të Platformës theksoi se lansimi i sotëm i Platformës përben një hap konkret dhe të rëndësishëm drejt avancimit të transparencës dhe fuqizimit të konsumatorëve, i cili ju jep përdoruesve një instrument për të krahasuar dhe zgjedhur produktet që u përshtaten më së miri nevojave të tyre, duke forcuar njëkohësisht besueshmërinë ndaj sektorit financiar si dhe përgjegjshmërinë e institucioneve financiare.
Tutje në njoftim thuhet se platforma përmban të dhëna nga 50 institucione financiare, përfshirë bankat, institucionet mikrofinanciare, institucionet jobankare dhe kompanitë e sigurimeve.
Ajo pasqyron 17 kategori produktesh, të ndara në 60 nënprodukte dhe 203 ndarje të detajuara, me mbi 10 mijë informacione për krahasim dhe vendimmarrje.
“Platforma është e qasshme në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze përmes faqes zyrtare të BQK-së [https://bqk-kos.org/] ose drejtpërdrejt nga linku i dedikuar [https://krahaso.bqk-kos.org/] dhe ofron neutralitet dhe qasje të thjeshtë. Platforma do të operojë në fazë testuese deri në fund të vitit, me qëllim të harmonizimit dhe adaptimit me kërkesat teknike dhe rregullative”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se përveç funksionit informues, Platforma do të shërbejë edhe si mjet mbikëqyrës i BQK-së, duke siguruar që institucionet financiare të ofrojnë të dhëna të sakta dhe në përputhje me rregulloret.
“Edukimi financiar mbetet një nga prioritetet strategjike të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për të zgjeruar njohuritë e qytetarëve lidhur me produktet dhe shërbimet financiare, që ata të kenë mundësi të negocimit të kushteve dhe marrjes së vendimeve të mirë informuara. Ky projekt është realizuar me mbështetjen e Fondit Evropian për Evropën Juglindore dhe të bashkëfinancuar nga Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me këtë projekt riafirmon përkushtimin e saj në promovimin e edukimit financiar, mbrojtjes së konsumatorit, inovacionit dhe avancimit të komunikimit me të gjitha palët e interesuara, ndërsa mbetet e përkushtuar që në linjë me zotimet strategjike për të avancuar sektorin financiar.
Rruga Press

