Bota

Tre shtete evropiane me operacion të koordinuar neutralizuan rrjetin bjellorus të spiunazhit

Një rrjet spiunazhi që po ngrihej nga shërbimet sekrete të Bjellorusisë në disa vende evropiane është goditur nga agjencitë e inteligjencës të Republikës Çeke, Hungarisë dhe Rumanisë, bëri të ditur të hënën Shërbimi i Kundërzbulimit Çek (BIS).

Në një komunikatë zyrtare, BIS njoftoi se agjentë të saj, në bashkëpunim me partnerë evropianë, kanë identifikuar dhe çmontuar aktivitetet e spiunëve të KGB-së bjelloruse. Mes të përfshirëve u zbulua edhe një ish-zëvendëskryetar i Shërbimit të Inteligjencës së Moldavisë (SIS), i cili dyshohet se kishte dorëzuar informacione të klasifikuara tek shërbimet bjelloruse.

Autoritetet çeke ndërmorën gjithashtu masa diplomatike duke dëbuar një agjent bjellorus që operonte nën mbulesën e një diplomati. Ministria e Jashtme e Çekisë konfirmoi se ai është urdhëruar të largohet nga vendi brenda 72 orëve.

Lexo më shumë  Revolta kundër qeverisë në Iran, protestuesit djegin institucionet e shtetit

Kreu i BIS, Michal Koudelka, theksoi se rrjeti ishte krijuar duke shfrytëzuar lëvizjen e lirë të diplomatëve bjellorusë dhe rusë brenda zonës Schengen. Ai kërkoi kufizime më të forta për këtë kategori për të parandaluar aktivitete të ngjashme në të ardhmen.

Ndërkohë, në Rumani, Agjencia kundër krimit të organizuar (DIICOT) njoftoi se ka ekzekutuar një fletarrestim për një shtetas moldav 47-vjeçar, i cili dyshohet për tradhti. Ai kishte mbajtur më parë pozita të larta në SIS dhe akuzohet se ka zbuluar sekrete shtetërore te agjentët bjellorusë, duke rrezikuar sigurinë kombëtare. Hetimet tregojnë se gjatë viteve 2024–2025 i dyshuari është takuar dy herë me spiunë bjellorusë në Budapest, ku dyshohet se janë shkëmbyer udhëzime dhe pagesa.

Lexo më shumë  Fluturimet e shumta ruse drejt Teheranit gjatë protestave nxisin dyshime se Irani po transferon arin në Rusi

Operacioni ndërkombëtar është mbikëqyrur nga Eurojust, agjencia e Bashkimit Evropian për bashkëpunim gjyqësor.

Bjellorusia, e drejtuar nga presidenti autoritar Alexander Lukashenko, aleat i ngushtë i Vladimir Putinit, ka qenë më parë në qendër të kritikave për mbështetjen që i dha Rusisë në pushtimin e Ukrainës, përfshirë lejimin e përdorimit të territorit bjellorus si bazë ushtarake dhe pranimin e raketave taktike bërthamore ruse.

Rruga Press

YouTube player