Kurti përuron banesat sociale të rinovuara në jugun e Mitrovicës: Investim mbi 380 mijë euro për kushte më të dinjitetshme jetese
Në Mitrovicën e Jugut u përuruan sot punimet në ndërtesat shumë-banesore sociale, të rinovuara në kuadër të projektit “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për ndërtesat shumë-banesore sociale”.
Ky projekt, me investim mbi 380 mijë euro, u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët, veçanërisht për familjet që kanë nevojë më të madhe për mbështetje.
Në ceremoninë e përurimit mori pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se ky investim është pjesë e një programi më të gjerë që po ndryshon jetën e qindra familjeve anë e mbanë Kosovës.
“Shipoli dhe Desi nuk janë vetëm emra lagjesh në Mitrovicë, por edhe histori familjesh që për vite kanë jetuar në kushte të vështira. Sot këto banesa janë më të ngrohta, më të sigurta dhe më të denja”, theksoi Kurti.
Ai shtoi se këto ndërtesa janë dëshmi e një shteti që po kthen vëmendjen aty ku ajo ka munguar, duke falënderuar Ministrinë e Ekonomisë, Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Bashkimin Evropian për bashkëpunimin në këtë projekt.
Nga ana e saj, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se këto investime nuk përfaqësojnë vetëm shifra në metra katrorë apo përqindje të kursimit të energjisë, i cili arrin deri në 80% për këto ndërtesa, por para së gjithash përmirësim të jetës së qytetarëve.
Rruga Press

