Adnan Rrustemi: Votimi në KQZ e shemb propagandën katërvjeçare kundër VV-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka çertifikuar Listën Serbe. Sipas anëtarit të Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, vetëm përfaqësuesit e VV-së votuan kundër, ndërsa përfaqësuesit e partive opozitare zgjodhën të abstenojnë.
Rrustemi ka theksuar se mënyra e këtij votimi flet vetë për qëndrimet e forcave politike në raport me Listën Serbe. Sipas tij, ky vendim e rrëzon propagandën e opozitës, e cila për katër vite ka akuzuar VV-në se bashkëpunon me këtë subjekt politik.
“Sot vetëm Vetëvendosje votoi kundër çertifikimit të Listës Serbe. Ky votim e shemb gjithë propagandën katërvjeçare kundër Qeverisë që përdorte Listën Serbe si akuzë. Është e qartë se Lista Serbe i ishte vetëofruar opozitës për ta përdorur kundër nesh,” tha Rrustemi.
Ai shtoi se vota abstenim e opozitës ngre pyetje serioze, sidomos duke pasur parasysh përfshirjen e Listës Serbe në sulmin e Banjskës.
“Çfarë prova e fakte tjera i duhen opozitës për të bindur veten se duhet të votojë kundër çertifikimit të saj? Apo ndoshta llogarisin në votat e tyre për një qeveri të përbashkët Opozitë + Lista Serbe?!” theksoi Rrustemi.
Në Parlament, opozita është treguar e unifikuar në votat kundër propozimeve të VV-së për kryetare të Kuvendit, ndërsa në KQZ, sipas Rrustemit, ka zgjedhur abstenimin ndaj Listës Serbe, duke hapur debat për qëndrimin real të saj ndaj këtij subjekti politik.
Shkrimi i plotë:
Lista Serbe nuk çertifikohet. Vetëm përfaqësuesit e VV-së votuan kundër, kurse ata të opozitës abstenuan.
Shumë raporte shpjegohen nga kjo mënyrë votimi në KQZ. Dikush me të drejtë do të thoshte se si për Listën Serbe abstenojnë, kurse në Parlament ngrehin dorë ku s’ka më lart kundër propozimeve të VV për kryetare të Kuvendit.
Dikush tjetër po aq me të drejtë do të thoshte se si 6 muaj e sulmonin VV-në se pret vota nga deputetët e Listës Serbe, kurse sot vetëm VV ishte kundër saj.
Ky votim i sotëm në KQZ e shembë gjithë propagandën katër vjeçare kundër Qeverisë duke e përdorur Listën Serbe. E qartë se Lista Serbe i ishte vetëofruar opozitës për ta përdorur kundër Vetëvendosjes.
Një tezë tjetër analize do të ishte se vota abstenim e opozitës ndaj Listës Serbe a është edhe distancim i përmbajtur i opozitës ndaj sulmit në Banjskë dhe rolit të Listës Serbe aty?!
Çfarë prova e fakte tjera kërkon opozita që të bindet për të votuar kundër çertifikimit të saj?
Apo llogarisin në votat e tyre për një qeveri të përbashkët Opozitë+Lista Serbe!
Rruga Press

