Ambasada amerikane: ShBA-ja ka kënaqësinë t’i dorëzojë Qeverisë së Kosovës 50 automjete të blinduara sigurie
Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar 50 autoblinda nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka thënë se FSK-ja do t’i përdorë në kapacitet të plotë operacional këta autoblinda.
“Shtetet e Bashkuara ka kënaqësinë t’i dorëzojë Qeverisë së Kosovës 50 automjete të blinduara sigurie (ASV) në kuadër të Programit të Pajisjeve të Mbrojtjes së Tepërta. Kosova, duke përdorur burimet e saj mbrojtëse, do t’i fusë këto autoblinda në kapacitet të plotë operacional, duke shënuar një hap tjetër në angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e kapacitetit mbrojtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe forcimin e sigurisë së dy vendeve tona. Më Të Sigurt Dhe Më Të Fuqishëm”, ka shkruar Ambasada amerikane në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti, të premten teksa ka shpërndarë fotografi nga ceremonia e pranim-dorëzimit, ka thënë se ky është hap i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
“Ushtria jonë do të vazhdojë të zhvillohet krahë për krahë me partnerin tonë strategjik, si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të shkollimit dhe doktrinës e cila është e bazuar në atë të ushtrisë së SHBA-së”, ka thënë ai.
Rruga Press

