Lajme

Bllokuesit e Kuvendit po na tregojnë qysh e kanë shkelur ligjin duke miratuar në Qeveri alokimin e buxhetit për RTK

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar lidhur me çështjen e mosalokimit të buxhetit për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), duke theksuar se përgjegjësia i takon opozitës që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit.

Murati tha se buxheti i RTK-së ndahet me vendim të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, siç e përcakton ligji, ndërsa Thesari vetëm e ekzekuton këtë vendim.

Sipas tij, aktualisht Komisioni për Buxhet nuk ekziston, pasi partitë opozitare po e mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit për disa muaj, duke mos marrë pjesë në votim.

Lexo më shumë  Ndërrimi i pushtetit në veri - Flamujt e fotografia e presidentes në sallat e kuvendeve

“Po të mos e kishin bllokuar opozita konstituimin e Kuvendit, çështja e buxhetit të RTK-së as që do të ishte temë, sepse buxheti alokohet me automatizëm sapo të ketë vendim nga Komisioni për Buxhet”, tha Murati.

Ai akuzoi PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se po përpiqen t’ia atribuojnë përgjegjësinë Qeverisë, duke i kërkuar të shkelin ligjin njësoj si në vitin 2021, kur ishte miratuar alokimi për 3 muaj në Qeveri.

Murati kujtoi se për të shmangur një situatë të tillë, Komisioni për Buxhet, nën kryesimin e deputetit Armend Muja, kishte miratuar në dhjetor të vitit të kaluar pagesën e këstit për 6 muaj (janar–qershor 2025), duke parashikuar vonesa eventuale pas zgjedhjeve.

Lexo më shumë  Faton Peci njofton, më 12 dhjetor mbahet seanca inauguruese e Komunës së Mitrovicës së Jugut

“Por askush nuk e kishte menduar se opozita do ta mbajë të bllokuar Kuvendin për kaq gjatë, vetëm sepse është kundër që Albulena Haxhiu të zgjidhet Kryetare e Kuvendit. Kapaciteti destruktiv i tyre tejkalon çdo imagjinatë”, theksoi Murati.

Ai shtoi se opozita nuk është deklaruar asnjëherë për kërkesën që pozita e nënkryetarit të Kuvendit t’i takojë një personi që nuk vjen nga Lista Serbe. “Pra, për opozitën bën Lista Serbe për nënkryetar, por nuk bën Albulena Haxhiu për Kryetare”, përfundoi Murati.

Rruga Press

YouTube player