Aleanca Shqiptare – LVV, PDK, LDK dhe AAK garojnë bashkë me një listë në Graçanicë
Partitë kryesore shqiptare në Graçanicë kanë vendosur të bashkohen në një listë të përbashkët për zgjedhjet lokale.
Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojnë me iniciativën e përbashkët “Aleanca Shqiptare”.
Kandidati për kryetar, Leutrim Ajeti, njoftoi bashkimin e partive në një listë të vetme, duke theksuar se kjo iniciativë synon përfaqësimin gjithëpërfshirës të shqiptarëve në Graçanicë.
“Bashkë me VV, LDK, PDK dhe AAK kemi vendosur të garojmë në këto zgjedhje lokale me një listë të përbashkët shqiptare. Në listë do të përfshihen edhe aktivistë dhe pjesëtarë me profile të ndryshme nga komuniteti, ndërsa katër nga dhjetë kandidatët për Asamblenë Komunale do të jenë gra,” shkroi Ajeti në Facebook.
Ai gjithashtu njoftoi se në ditët në vijim do të prezantohet edhe programi qeverisës për katër vitet e ardhshme, i cili do të përfshijë investime në të gjitha pjesët e komunës, pa dallim etnie apo feje.
“Aleanca Shqiptare do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim,” tha Ajeti.
Rruga Press

