BotaKryesore

BE-ja në kërkim të rolit të saj para samitit mes Trumpit dhe Putinit në Alaskë

Takimi i planifikuar në Alaskë mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, e ka lënë Evropën në një pozicion të vështirë.

Bashkimi Evropian, ashtu sikurse shumica e vendeve evropiane, po tenton ta parandalojë rënien e Shteteve të Bashkuara “në kurth”, teksa përkrahin Ukrainën në aspektin diplomatik dhe përgatiten për më shumë sanksione ndaj Rusisë.

Mirëpo, pa asnjë iniciativë të re diplomatike, ata e kanë të vështirë të sigurojnë një ulëse në tavolinë teksa fati i kontinentit duket se është në duart e një kryeqytetit tjetër.

Duket se është e drejtë të thuhet se Brukseli është zgjuar nga pushimi i verës me një gungë në ballë. Ndonëse pak njerëz besonin se SHBA-ja do të vendoste masa të ashpra ndaj Rusisë, askush nuk e ka pritur një takim të nivelit më të lartë mes dy vendeve brenda ditësh, marrë parasysh se është i pari pas më shumë se katër vjetëve.

Lexo më shumë  96 organizata i kërkojnë Kuvendit të Shqipërisë të rishikojë ligjin për zonat e mbrojtura

Prej kur është bërë publike data e takimit, zyrtarët evropianë kanë qenë në ethe.

Ata janë takuar me nënpresidentin amerikan, JD Vance në Britani përgjatë fundjavës, më pas ministrat e Jashtëm të bllokut evropian e kanë zhvilluar një videokonferencë më 11 gusht dhe më 13 gusht disa liderë të kontinentit evropian – përfshirë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky – do të zhvillojnë një tjetër thirrje telefonike me Trumpin.

Disa zyrtarë evropianë me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë kanë thënë në kushte anonome se mesazhet prej Uashingtonit deri më tani kanë qenë “kaotike” dhe që fraksione të ndryshme brenda administratës Trump kanë synime ndryshe-ndryshe për takimin në Alaskë.

Lexo më shumë  Bernie Sanders mbështet protestat në Shqipëri kundër projektit të Jared Kushner në Zvërnec

Zyrtarët kanë thënë se ekzistojnë interpretime të ndryshme rreth asaj se cili ka qenë epilogu i takimit të të dërguarit të Trumpit, Steve Witkoff nga takimi me Putinin në Moskë një javë më parë.

Ndonëse e kanë pranuar se janë pak më të qetë pas diskutimeve të fundit, ata ende nuk e dinë me siguri se çfarë të presin nga Alaska.

Rruga Press

YouTube player