Zelensky: Putini dhe Trumpi s’mund të vendosin për Ukrainën pa Ukrainën
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se takimi i ardhshëm mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe liderit të Kremlinit, Vladimir Putin, është i rëndësishëm për dialogun mes tyre, por theksoi se asnjë vendim për Ukrainën nuk mund të merret pa përfaqësues të saj.
Në një konferencë për shtyp më 12 gusht, Zelensky u shpreh:
“Sa i përket negociatave, në çdo rast, ato janë thelbësore në nivel udhëheqësie, por nuk mund të flasin për Ukrainën pa Ukrainën, dhe askush nuk do ta pranojë këtë.
Prandaj, biseda mes Putinit dhe Trumpit mund të jetë e rëndësishme për dialogun e tyre dypalësh. Por ata nuk mund të vendosin asgjë për Ukrainën pa ne. Unë besoj dhe shpresoj fuqishëm që presidenti amerikan e kupton këtë dhe e mban në zemër.”
Ai shtoi gjithashtu se po planifikohet edhe një takim trepalësh në nivel liderësh, por data ende nuk është përcaktuar:
“Do të ngrihen çështje të ndryshme aty. Ne do të qëndrojmë për të vërtetën dhe do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund kësaj lufte. Ka gjëra që i mban në zemër dhe gjëra që i ke në Kushtetutë.”
Trumpi, në një konferencë për shtyp, tha se pret që takimi me Putinin të jetë “konstruktiv”, por nuk e përjashtoi mundësinë që rezultati të jetë negativ. Ai shprehu gjithashtu pakënaqësi ndaj deklaratës së Zelenskyt se Kushtetuta e Ukrainës do të duhej të ndryshohej për të lejuar shkëmbim territoresh si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Takimi Trump–Putin është planifikuar të mbahet më 15 gusht në Alaska.
Rruga Press

