Kraki: “Kushtetuta po tjetërsohet me paragrafe që s’kanë ekzistuar kurrë”
Deputeti i Partisë Guxo, Nezir Kraki, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar si “interpretim politik” dhe “ndërhyrje të paprecedentë” në përmbajtjen e Kushtetutës.
“Misioni i Gjykatës Kushtetuese nuk është të rishkruajë nenet e Kushtetutës. Ajo ka për detyrë të garantojë respektimin e tyre, jo t’u shtojë paragrafë që nuk kanë ekzistuar kurrë. Me këtë aktgjykim, është tejkaluar qartazi ky mision,” deklaroi Kraki në emisionin Këndi i Debatit në Tëvë1.
Deputeti shprehu dyshime mbi pavarësinë e gjyqtarëve, duke theksuar se shumica prej tyre janë “produkt i një sistemi të vjetër”, ku postet jepeshin me ndërvarësi dhe kushtëzime politike, jo me meritokraci.
Sipas tij, vendimi i Kushtetueses për të shtuar elementë si afati 30-ditor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, mundësia e tri herë propozimit të kandidatit apo mënyra e votimit, shkon përtej kompetencave të saj.
“Në vend që të garantojë funksionimin strikt të Kushtetutës, Gjykata po ndërhyn duke shtuar paragrafe e rregulla që nuk ekzistojnë,” theksoi Kraki, duke shtuar se kritikat e tij nuk janë sulm ndaj institucionit, por një detyrim për të denoncuar praktika që, sipas tij, rrezikojnë rendin demokratik dhe kushtetues.
Rruga Press

