FIFA: Zero tolerancë ndaj Serbisë – tifozët e rrezikojnë ndeshjen me Shqipërinë
FIFA ka gjobitur Federatën Serbe të Futbollit me 50 mijë franga zvicerane dhe ka urdhëruar mbylljen e 15% të stadiumit për ndeshjen e ardhshme kualifikuese ndaj Anglisë më 9 shtator, për shkak të fyerjeve raciste dhe diskriminuese nga tifozët serbë gjatë sfidës kundër Andorrës më 10 qershor.
Ky vendim i ashpër rrezikon gjithashtu që përballja e shumëpritur ndaj Shqipërisë, e planifikuar për më 11 tetor në Beograd, të zhvillohet pa tifozë, në rast se incidentet përsëriten.
Federata Serbe paralajmëroi tifozët për pasoja të rënda, duke theksuar se janë “nën vëzhgim të rreptë nga FIFA dhe UEFA” dhe se “ka zero tolerancë për sjellje të tilla”. Në deklaratën e saj, federata publikoi gjithashtu një statistikë alarmante: vetëm në katër vitet e fundit, Serbisë i janë vendosur gjoba që arrijnë në totalin e 703 mijë eurove për sjellje të papërshtatshme të tifozëve.
Ndeshja ndaj Anglisë do të jetë testi i radhës për Serbinë. Një tjetër incident mund të sjellë dënim edhe më të rëndë, duke përfshirë përjashtimin e tifozëve në përballjen e zjarrtë me Shqipërinë në tetor.
Rruga Press

