Bileta futbolli kundër depresionit: Anglia teston “recetën sportive”
Në Gloucestershire të Anglisë ka nisur një projekt pilot inovativ që synon të luftojë depresionin e lehtë dhe të moderuar me një metodë krejtësisht ndryshe: bileta falas për ndeshje futbolli.
Deputeti i Partisë Laburiste dhe ish-mjeku Simon Opher, së bashku me biznesmenin Dale Vince – pronar i Forest Green Rovers – kanë lançuar këtë iniciativë duke besuar se ndjekja e ndeshjeve mund të ketë efekt terapeutik të krahasueshëm me trajtimin medikamentoz.
Pacientët e qendrave mjekësore pranë stadiumit The New Lawn në Nailsworth do të marrin bileta falas për të parë Forest Green Rovers gjatë gjithë sezonit, duke nisur nga ndeshja e parë në 16 gusht kundër Yeovil Town.
“Shumica e njerëzve me depresion nuk kanë nevojë për ilaçe, por për lidhje njerëzore”, tha Opher, duke shtuar se izolimi social po shkatërron mirëqenien e njerëzve dhe futbolli mund të krijojë ndjesinë e përkatësisë dhe komunitetit.
Sipas tij, 80% e pacientëve që marrin receta sociale i ndjekin ato rregullisht dhe në shumë raste ndalojnë së kërkuari vizita mjekësore, gjë që tregon përmirësim të madh. Edhe pronari i klubit, Dale Vince, theksoi rëndësinë e kësaj nisme, sidomos për burrat që shpesh nuk flasin për problemet e tyre dhe përfundojnë në izolim të rrezikshëm për shëndetin mendor.
Iniciativa vjen në një kohë kur përdorimi i antidepresivëve në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur nivele rekord, me 8.7 milionë persona që i përdorin ato – një rritje prej 2.1% krahasuar me vitin e kaluar.
“Kur fillova si mjek në 1995, përshkruaja ilaçe ose i referoja pacientët te specialistët, por shumë nuk përmirësoheshin. Na duhej të bënim diçka ndryshe”, tha Opher, duke e përshkruar projektin si një revolucion të mundshëm për shëndetin mendor.
Rruga Press

