BotaKryesore

“Nëse nuk mbroni klimën, po shkelni ligjin ndërkombëtar” – Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpall vendimin historik

Në një vendim historik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) në Hagë ka deklaruar se mosveprimi i shteteve për të mbrojtur klimën mund të përbëjë shkelje të ligjit ndërkombëtar, duke hapur rrugën për dëmshpërblime për vendet më të prekura nga ndryshimet klimatike.

Presidenti i gjykatës, Yuji Iwasawa, tha se mosmarrja e masave të duhura për të mbrojtur klimën mund të konsiderohet “veprim i paligjshëm ndërkombëtar”. Ai shtoi gjithashtu se një “mjedis i pastër, i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm” është një e drejtë themelore e njeriut, duke hapur mundësi për padi ndërkombëtare mes shteteve.

Lexo më shumë  Kurti në takimet rajonale të Inteligjencës Financiare: Ka progres në luftimin e krimit të organizuar

Ky ishte rasti më i madh për klimën ndonjëherë në botë, me pjesëmarrjen e 96 shteteve, 10 mijë faqe dokumente dhe 15 gjyqtarë gjatë dy javëve të seancave në dhjetor. Vendimi u konsiderua si “fitore e jashtëzakonshme” nga vendet e vogla ishullore si Vanuatu dhe Tuvalu, të cilat po zhduken nga deti si pasojë e ndryshimeve klimatike, edhe pse nuk kanë kontribuar pothuajse aspak në ndotjen globale.

Megjithatë, vendet e pasura të Veriut Global, përfshirë Britaninë, Australinë dhe Kanadanë, kishin argumentuar më herët se përgjegjësitë e tyre kufizohen vetëm në marrëveshjen e Parisit.

Vendimi, i cili ka karakter këshillues dhe nuk është i detyrueshëm ligjërisht, pritet të përdoret si precedent në gjykatat ndërkombëtare në të ardhmen për të kërkuar dëmshpërblime ndaj vendeve ndotëse.

Një nga studentet që nisi këtë nismë, Cynthia Houniuhi nga Ishujt Solomon, tha: “Nëse asgjë nuk ndryshon, brenda 10 vitesh ishujt tanë do të zhduken. Nuk mund ta pranoj këtë.”

Ekspertët vlerësojnë se vendimi do të sjellë një epokë të re të përgjegjësisë klimatike globale, duke i detyruar shtetet jo vetëm të parandalojnë dëmet klimatike, por edhe t’i riparojnë ato plotësisht.

YouTube player