BotaKryesore

“Na lini të godasim Rusinë!” – Syrskyi i bën thirrje Perëndimit për më shumë armë

Gjenerali Oleksandr Syrskyi, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, ka kërkuar nga SHBA dhe vendet evropiane që të rrisin urgjentisht furnizimet me sisteme mbrojtëse ajrore dhe raketa, si dhe të rishikojnë ndalimin që i kanë vendosur Ukrainës për të goditur objektiva ushtarake në territorin rus.

Në një intervistë për The Washington Post, Syrskyi deklaroi se dërgesat e reja, përfshirë sistemet amerikane Patriot, interceptorët e dronëve dhe avionët e lehtë për rrëzimin e tyre, do të ndihmonin ndjeshëm në zmbrapsjen e sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës dhe qyteteve ukrainase.

“Ata po godasin gjithçka – aeroportet, zonat e banuara, objektet energjetike. Për këtë, na duhen raketa balistike që t’i kundërpërgjigjemi me efikasitet,” tha Syrskyi.

Ai shtoi se raketat me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, si ATACMS amerikane dhe Taurus gjermane, do të mundësonin goditjen e infrastrukturës ushtarake ruse, duke ngadalësuar prodhimin e raketave dhe dronëve, nëse hiqen kufizimet aktuale të përdorimit të tyre.

Lexo më shumë  Shqipëria po plaket, fuqia punëtore po tkurret

“Disponueshmëria e çdo rakete është një pengesë për armikun. Shpresoj që me qëndrimin e presidentit Trump, ky proces të lehtësohet dhe të mos hasim pengesat që kemi pasur më parë,” u shpreh gjenerali ukrainas.

Syrskyi konfirmoi se mungesa e mbrojtjes ajrore dhe e municioneve të artilerisë 155mm po pengon seriozisht përpjekjet e forcave ukrainase në terren, duke shtuar se trupat kanë nevojë për automjete të blinduara moderne dhe të besueshme.

“Ushtarët tanë janë të motivuar dhe të guximshëm, por kanë nevojë për mjetet e duhura për të përparuar,” theksoi ai.

Ai foli edhe për operacionin e verës së kaluar në Kursk të Rusisë, të cilin e cilësoi si të domosdoshëm, pasi sipas tij, detyroi ushtrinë ruse të kalonte në mbrojtje brenda territorit të vet dhe uli presionin në lindje të Ukrainës. Sipas Syrskyi-t, nga ky operacion pati të paktën 80,000 ushtarë rusë të vrarë ose të plagosur.

Lexo më shumë  Kurti: Kosova e përkushtuar në luftën kundër pastrimit të parave

Gjenerali ukrainas përmendi edhe sfidat me rekrutimin e trupave të reja, duke pranuar se është një temë e ndjeshme. Aktualisht, rekrutimi është i detyrueshëm për burrat nga 25 deri në 60 vjeç, ndërsa po pilotohet një program për moshat 18-24 vjeç, ku motivimi kryesor i të rinjve, sipas një ankete, është përfitimi financiar.

Në fund, Syrskyi vuri në dukje rëndësinë e vendosmërisë së trupave ukrainase në mbrojtjen e qyteteve si Pokrovsku, ku falë fushave të minuara dhe pengesave të krijuara, forcat ruse pësuan humbje deri në 30% të automjeteve të tyre.

YouTube player