Brenda kampeve stërvitore ruse në Ballkan për “destabilizimin” e Moldavisë
Një investigim i përbashkët i BIRN dhe CU SENS të Moldavisë hedh dritë të re mbi kampet stërvitore të drejtuara nga operativë rusë në Bosnje dhe Serbi, të cilat, sipas autoriteteve në Kishinau, u përdorën për të trajnuar shtetas moldavë në teknika destabilizuese përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar në Moldavi.
Maxim Roșca tha se ishte rekrutuar nga një bashkëpunëtor biznesi i gruas së tij.
“A nuk dëshiron të shkosh?” kujton ai t’i ketë thënë burri, Anatolii Prizenko. “Të mësosh të mbrosh veten.”
Kjo bisedë e çoi Roșcën 41-vjeçar nga Moldavia e tij drejt Ballkanit, ku ai u stërvit me instruktorë rusë në kampe paramilitare të fshehura në pyje.
Në një intervistë për platformën investigative moldave CU SENS, Roșca përshkroi se fillimisht ishte stërvitur në entitetin me shumicë serbe dhe pro-rus, Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe më vonë në një fshat të quajtur Radenka, në Serbinë lindore.
Të gjithë shokët e tij të stërvitjes ishin moldavë. Ata duhej të dorëzonin telefonat dhe pasaportat para se të merrnin pjesë në ushtrime luftarake, trajnime me dronë dhe atë që Roșca e përshkroi si “gjëra të tilla si sport dhe psikologji”.
Për dhjetë ditë stërvitje, Roșca tha se atyre u ishte premtuar një pagesë prej 300 deri në 500 dollarësh; ai u pagua në kriptomonedhë.
Më pak se një vit më vonë, Roșca është dëshmitar i prokurorisë në gjyqin moldav ndaj tre prej shokëve të tij të stërvitjes, të akuzuar për komplot për të shkaktuar trazira masive.
Prokurorët thonë se anëtarët e grupit morën pjesë në stërvitje paramilitare në Bosnje dhe Serbi mes 1 dhe 16 gushtit 2024 dhe mes 22 gushtit dhe 11 tetorit. Ata i kanë lidhur instruktorët me grupin mercenar rus Wagner dhe disa individë të sanksionuar nga Bashkimi Evropian.
Qëllimi, sipas tyre, ishte të pengonin zgjedhjet presidenciale të Moldavisë të mbajtura në tetor dhe nëntor, në të cilat presidentja pro-perëndimore Maia Sandu mundi kandidatin pro-rus Alexandr Stoianoglo.
“Në Bosnje, ata u stërvitën me dronë dhe mësuan si të organizonin trazira masive dhe si të provokonin policinë për një reagim të dhunshëm”, tha deputeti moldav Lilian Carp, nga partia pro-evropiane në pushtet Partia e Veprimit dhe Solidaritetit dhe kryetar i komisionit parlamentar për sigurinë.
“Autoritetet tona e dinë saktësisht se ku ndodhi stërvitja, në cilat kampe dhe si shkuan njerëzit atje, si arritën instruktorët nga grupi Wagner, çfarë diskutuan dhe çfarë lloj stërvitjeje u zhvillua.”
Prizenko, i arrestuar në shkurt të këtij viti, tashmë është nën sanksione të BE-së për, siç thuhet, “planifikim, drejtim ose përfshirje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në manipulim dhe ndërhyrje të koordinuar të informacionit” në Francë, në emër të Kremlinit.
BIRN ka mësuar se autoritetet në Bosnje kanë hapur një çështje të tyre lidhur me këto akuza.
Arrestime

Të njoftuar nga Shërbimi i Inteligjencës dhe Sigurisë së Moldavisë (SIS), prokurorët e posaçëm për krimin e organizuar hapën një hetim në shtator të vitit të kaluar.
Më 11 tetor, Maxim Roșca u ndalua në kufirin mes Moldavisë dhe Rumanisë, i dyshuar për pjesëmarrje në stërvitje në Bosnje. Në të njëjtën makinë ndodheshin edhe Vladimir Harcevnicov, Aliona Gotco, Ludmila Costenco dhe Iulia Ivanova, të gjithë shtetas moldavë. Një kontroll në automjet zbuloi dronë të çmontuar, kufje për realitet virtual, pajisje radio dhe udhëzime për prodhimin e eksplozivëve.
Në tetor të vitit të kaluar, Ministria e Sigurisë së Bosnjës hodhi poshtë pretendimet për kampe stërvitore paramilitare në territorin e saj, duke deklaruar: “Nëse një gjë e tillë do të ekzistonte realisht, Moldavia ndoshta do të na kishte informuar, do të kishte kërkuar informacion, do të na kishte paralajmëruar ose dërguar një notë proteste. Ne nuk kemi marrë kurrë zyrtarisht ndonjë letër prej tyre. Kur një problem i tillë ekziston, kudo në botën e civilizuar, ai zgjidhet përmes bashkëpunimit ndër-shtetëror policor, jo me tituj të fabrikuar mediatikë që shërbejnë ekskluzivisht për përplasje të brendshme politike në Moldavi.”
Megjithatë, në pranverë të këtij viti, Harcevnicov, Gotco dhe Costenco dolën para gjykatës në kryeqytetin moldav, Kishinau, të akuzuar për komplot për të shkaktuar trazira masive në Moldavi.
Gotco, e cila është nga rajoni separatist moldav i Transnistrisë dhe ka gjithashtu shtetësi ruse, mohoi çdo fajësi dhe iu drejtua platformës CU SENS duke pretenduar se çështja ndaj saj ishte e motivuar politikisht. Ajo nuk iu përgjigj kërkesave të mëvonshme për koment.
Harcevnicov, 37 vjeç, një i dënuar më parë për vrasje, gjithashtu mohoi përfshirjen në ndonjë vepër penale, ndërsa 53-vjeçarja Costenco, e lindur në Rusi por që ka jetuar shumicën e jetës në Moldavi, u tha gazetarëve se thjesht po udhëtonte me pushime me të birin: “Nuk kam lidhje fare me çfarë thuhet në lajme”, tha ajo.
Fushatë rekrutimi përmes peintbollit

Në shkurt të këtij viti, BIRN vizitoi fshatin Radenka në Serbi dhe gjeti copa të djegura letre, mbetje të një mbulese plastike dhe tokë të djegur në vendin ku më parë videot dhe fotografitë tregonin tenda të ngritura gjatë verës së kaluar.
Sipas mediave pranë qeverisë serbe, hetuesit gjetën dronë, kufje për realitet virtual (VR), pajisje për internet satelitor Starlink dhe lëndë djegëse në këtë vend. As qeveria dhe as policia nuk kanë bërë ndonjë koment zyrtar.
Përmes analizës së videove dhe fotografive të publikuara nga policia moldave, BIRN e gjeolokalizoi vendin në një zonë rreth dhjetë minuta me makinë jashtë Radenkës. Në muajin shkurt, 51-vjeçari Prizenko u arrestua në Kishinau, i dyshuar për rekrutimin e Roșcës dhe organizimin e stërvitjeve në Bosnje dhe Serbi.
Policia e akuzoi atë se kishte identifikuar rekrutë potencialë gjatë turneve të peintbollit në Moldavi.
Një avokat i Prizenkos nuk pranoi të komentonte; ai tashmë ka pasur përplasje me autoritetet në Evropë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Prizenkos, i cili publikisht mori përgjegjësinë për pagesën e disa shtetasve moldavë që në tetor 2023 pikturuan Yllin e Davidit në rrugët e Parisit. BE-ja deklaroi se ky akt kishte një “efekt destabilizues të ndjeshëm në kontekstin e konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit” në Gazë.
Raportimet e mediave në atë kohë thoshin se operacioni ishte zhvilluar në emër të shërbimit rus të inteligjencës, GRU, me synimin për të nxitur tensione në shoqërinë franceze.
Neo-nazisti bullgar

Raportet identifikuan neo-nazistin bullgar Mircho Angelov si një tjetër pjesëmarrës në operacionin e Yllit të Davidit. Ai është një nga 13 personat e identifikuar nga shërbimi sekret moldav në tetor 2024 si të përfshirë në kampet paramilitare në Bosnje dhe Serbi.
Roșca tha se Angelov i kishte sjellë ushqim në një nga kampet stërvitore në Ballkan. Angelov nuk ishte i arritshëm për koment.
Një tjetër person në listë është Mikhail Potepkin, ndaj të cilit janë vendosur sanksione nga BE-ja, SHBA-ja dhe Britania për lidhje të dyshuara me grupin mercenar rus Wagner. I kontaktuar përmes rrjetit VKontakte, Potepkin konfirmoi se ishte personi i përmendur në listë, por më pas ndaloi së përgjigjuri ndaj kërkesave për intervistë.
Në listë është edhe Konstantin Goloskokov, i cili në një intervistë për Financial Times në vitin 2009 kishte pranuar se kishte marrë pjesë në një sulm kibernetik kundër Estonisë në vitin 2007. Ai nuk mund të arrihej për koment.
Agjencia e inteligjencës së Moldavisë i identifikoi Potepkin dhe Goloskokov si “koordinatorë” të kampeve stërvitore. Ndër instruktorët e dyshuar ishte edhe Andrei Becker, i cili hyri në Bosnje më 23 gusht 2024 dhe themeloi të njëjtën ditë një kompani IT të quajtur AE 777. Kompania është ende aktive.
Një tjetër emër është Alexander Volkhonsky (i njohur më parë si Sotov), të cilin projekti antikorrupsion Dossier Centre e ka lidhur me operacionet e Wagner-it në Republikën e Afrikës Qendrore.
Mohimet

Zyrtarët pro-rusë në Moldavi dhe në Republikën Srpska kanë mohuar ekzistencën e këtyre kampeve stërvitore.
“Njerëzit në pushtet kurrë nuk kanë paraqitur ndonjë provë, as audio-vizuale dhe as të dokumentuar, që të mund të themi ‘Ah, kemi një situatë’,” tha Vlad Batrincea, nënkryetar i parlamentit moldav nga Partia Socialiste pro-ruse.
“E gjithë kjo lidhet me mesazhe politike; nuk ka asgjë të qartë, të dukshme si material”, shtoi ai. “Për fat të mirë, nuk kemi parë përpjekje për destabilizimin e Republikës së Moldavisë.”
Prokurorë dhe ekspertë të sigurisë, megjithatë, thonë se operacioni mund të gjurmohet deri tek Ilan Shor, një politikan moldav pro-rus dhe i arratisur që aktualisht jeton në Rusi.
Në shkurt, prokurori që drejton çështjen, Vitalie Chișca, deklaroi se ende nuk kishte pasur kontakt me autoritetet boshnjake.
“Deri tani, nuk kemi pasur asnjë kontakt, as drejtpërdrejt, as përmes mjeteve të tjera”, tha ai.
“Qëllimi ynë është të mbledhim sa më shumë informacione në një fazë të caktuar të hetimit penal, që më pas të kërkojmë zyrtarisht informacion nga autoritetet ligjzbatuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.”
Megjithatë, një zëdhënës i prokurorisë shtetërore të Bosnjës konfirmoi se ata kanë hapur një hetim të tyre mbi çështjen. /Reporter.al/
Rruga Press

